Lionel Messi ishte në formën më të mirë dhe Barcelona fitoi 3:2 në udhëtim te Athletic Bilbao të mërkurën mbrëma, për të dalë në vendin e tretë në La Liga.
Ishte ndeshje e mbetur e xhiros së dytë në elitën e futbollit spanjoll. Bilbao e nisi në mënyrën më të mirë takimin nën drejtimin e trajnerit të ri, Marcelino. Sulmuesi Inaki Williams shënoi që në minutën e tretë të ndeshjes. Barcelona u përgjigj shpejtë dhe në mënyrë të përkryer. Messi pasoi bukur për Frenkie de Jongun, ndërsa holandezi e ktheu topin te 18-vjeçari Pedri, që nuk gaboi me kokë nga afërsia.
Messi dhe Pedri kombinuan për mrekulli për ta dërguar Barcelonën në epërsi. I riu pranoi topin nga argjentinasi, dhe ia ktheu atë me thembër, kurse sulmuesi argjentinas e pati të lehtë shënimin në minutën e 38-të. Messi realizoi edhe në minutën e 62-të pas një aksioni shumë mirë të ndërtuar, teksa humbi disa raste tjera për të shënuar hat-trick. Krejt në fund të ndeshjes, Iker Muniain e vulosi rezultatin final. Ai realizoi në minutën e 90-të. Kjo fitore bën që Barcelona ta kalojë Real Sociedadin në renditje me 31 pikë, shtatë më pak se Atletico Madridi që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara sesa ekipi nga Katalonja.