Lionel Messi do të mungojë në ndeshjen kundër Eibarit. Klubi i Barcelonës ka njoftuar se argjentinasi është i lënduar dhe nuk do të paraqitet në ndeshjen e së martës, që i takon xhiros së 16-të të La Ligas.
Barcelona ka liruar argjentinasin për ndeshjen e fundit të këtij viti. Të dielën klubi katalonas ka qartësuar situatën e 33-vjeçarit.
“Lojtari i ekipit të parë, Lionel Messi, është duke u rehabilituar pas lëndimit në kyçin e këmbës së djathtë dhe pritet të kthehet pas ndeshjes kundër Eibarit”, thuhet në deklaratën e postuar në faqen zyrtare të klubit.
Pas fitores kundër Real Valladolidit, superylli është kthyer në vendlindjen e tij, në Rossario të Argjentinës. Këtë sezon Messi shënoi dhjetë gola dhe bëri pesë asistime në 18 ndeshje, ndërsa javën qe shkoi argjentinasi arriti golin e 644-t me Barcelonën, duke thyer rekordin e Peles me Santosin, për më së shumti gola me një skuadër.