Daullet indiane u “goditën” fuqishëm nga tifozët e palodhur të Argjentinës, ndërsa qindra prej tyre pritën me orë të tëra për të parë një autobus që transportonte Lionel Messin jashtë bazës së ekipit argjentinas në Kupë të Botës në Katar. Daullexhinjtë dhe valltarët indianë treguan sërish se Botërori “Katari 2022” do të jetë një përvojë ndryshe për lojtarët dhe tifozët vizitorë.
Tifozët nga Amerika e Jugut ishin në numër më të madh se tifozët anglezë kur përshëndetën skuadrën e Harry Kanet të martën. Një turmë prej më shumë se 500 vetash, që kishin pritur deri në katër të mëngjesit për të parë ardhjen e heronjve të tyre, u “nda” në mënyrë të barabartë nga tifozë indianë të Argjentinës dhe atyre nga vendi i Amerikës së Jugut, shumë prej të cilëve kanë shpenzuar mijëra dollarë për të marrë pjesë në Kupën e Botës.
Ekipi fluturoi herët të enjten për në Katar nga Abu Dabi, ku mundi Emiratet e Bashkuara Arabe, 5:0, në miqësoren e fundit para Kupës së Botës. Të mërkurën mbrëma, Messi, 35 vjeç, shënoi golin e 91-të ndërkombëtar.
Argjentina vlerësohet ndër favoritët kryesorë të këtij Botërori, ndërsa amerikano-jugorët do të fillojnë kampanjën të martën kundër Arabisë Saudite në Grupin C, ku janë edhe Meksika e Polonia. Anëtarët e klubit “Argentina Fans In Katar”, të cilët pretendojnë se kanë më shumë se 5000 anëtarë, sollën daulle të zbukuruara me portretin e Leo Messit në bazën e Argjentinës në Universitetin e Katarit.
“Nëse ky do të jetë Botërori i fundit i Leos, nuk mund të ketë vend më të mirë për të”, tha Munish Sharma, i cili kujtoi se kishte parë Messin të shënonte golin e fitores kur Argjentina mundi Brazilin 1:0 në një ndeshje miqësore në Doha në vitin 2010.
Edhe
Lionel Messi frymëzon një pelegrinazh mbarëbotëror në Katar
Tifozët indianë kanë lënë tashmë shenjën e tyre me mijëra që morën pjesë në një marshim dhe mbanin veshur fanella nga përfaqësueset më të mira të futbollit, duke përfshirë Argjentinën, Brazilin dhe Anglinë.
“Ata bëjnë shumë zhurmë” tha Laura Valero e cila mbërriti nga Buenos Airesi në Doha të martën. “Nëse ato daulle do të luajnë këtu çdo natë, atëherë ekipi nuk do të flejë kurrë”.
Valero, 24 vjeçe, tha se kishte marrë hua rreth 8000 dollarë nga prindërit e saj për të bërë udhëtimin drejt Kupës së Botës në Katar.
“Të gjithë miqtë e mi janë këtu kështu që nuk mund të refuzoja këtë udhëtim”, tha ajo.
Dy grupet e tifozëve “luftuan” për të parë se kush mund të bënte më shumë zhurmë. Silvia Perla, një argjentinase 68-vjeçare nga Catamarca, u fotografua me Hakeem Salihun dhe të tjerë nga radhët e tifozëve indianë.
Edhe
Mijëra tifozë presin përfaqësuesen e Argjentinës, me gjithë humbjen në finale
“Unë u përpoqa të mësoja prej tyre se çfarë po këndonin dhe ata u përpoqën të më mësonin disa fjalë”, tha ajo.
Pritja u bë e papërballueshme për disa që u larguan përpara se autobusi i Argjentinës të kalonte me shpejtësi rreth 100 metra pranë vendit ku tifozët e Messit mbaheshin në një gardh prej teli.
“Ne donim të shihnim Leon, është turp”, tha Diego Cordovez, zëri i të cilit ishte i ngjirur nga orët e tëra të këndimit. “Por ai ka nevojë për pushim, kjo është më e rëndësishme”.
Messi, 35 vjeç, fitoi një titull të Copa America vitin e kaluar, por turneu i Katarit është ndoshta shansi i tij i fundit për të barazuar të madhin argjentinas, Diego Maradonan, në udhëheqjen e vendit drejt lavdisë së Kupës së Botës.
Edhe
Messi, lojtari i finaleve
Fituesit e Kupës së Botës 1978 dhe 1986, argjentinasit e zgjatën serinë në 36 ndeshje pa humbje, kundër Emirateve të Bashkuara Arabe. Messi ka qenë i kujdesshëm për shanset e Argjentinës në Katar para disa ditësh.
“Ne kemi një grup të mirë lojtarësh që është shumë i etur dhe mendojmë të shkojmë pak nga pak. Ne e dimë se grupet e Kupës së Botës nuk janë të lehta”, tha Messi.