Sport

Mesfushori i Juventusit suspendohet për shtatë muaj për shkak të basteve

Mesfushori i Juventusit, Nicolo Fagioli, u dënua me shtatë muaj moslojë nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC). Dënimi iu dha të martën për shkak të basteve.

Fagioli ra dakord me federatën për pranimin e fajësisë. Marrëveshja që përfshin terapi për të luftuar varësinë nga bixhozi. 22-vjeçari Fagioli, i cili tashmë ka vizituar terapistin për problemin e tij, lajmëroi prokurorin e Federatës Italiane të Futbollit për rastin dhe ka bashkëpunuar me autoritetet për të zbutur dënimin e tij. Kjo mundësoi që ndalimi minimal prej tri vjetësh për lojtarët që shkelnin rregullat e basteve në ndeshjet e futbollit të mos respektohej. Fagioli thuhet se nuk ka vënë kurrë bast në ndeshjet që përfshijnë Juventusin.

Një deklaratë u lëshua edhe nga FIGC të martën, duke konfirmuar se suspendimi për Fagiolin fillimisht do të ishte 12 muaj, por u zvogëlua për pesë muaj me disa kushte. Fagioli duhet të ndjekë trajtimin për varësinë nga bixhozi për të paktën gjashtë muaj. Ai gjithashtu duhet të bëjë të paktën 10 paraqitje publike gjatë pesë muajve në të cilat ai shpjegon situatën e tij dhe ndihmon të tjerët ose të shmangin rënien në grackën e bastvënies ose të ndihmojnë në shërimin e tyre nga varësia ndaj kumarit.

Në mënyrë efektive, suspendimi është ende “formalisht” për 12 muaj, por pesë prej tyre do të mbulohen nga alternativat e trajtimit dhe daljeve publike. Atij i është ndaluar të luaj për shtatë muaj.

Fagioli përballet gjithashtu me një gjobë prej 12,500 eurosh për shkeljen e nenit 24 të kodit të drejtësisë sportive, i cili ndalon bastet në ngjarjet e futbollit të organizuara nga FIGC, UEFA ose FIFA.

Fagioli ka luajtur në gjashtë nga tetë ndeshjet e Juventusit në Serinë A këtë edicion dhe konsiderohet si një nga mesfushorët më të talentuar të Italisë. Ai tani ka të ngjarë të humbë pjesën tjetër të edicionit, megjithëse mund të kthehet për dy ndeshjet e fundit pas përfundimit të pezullimit.

Fagioli nuk është lojtari i parë i Juventusit që dënohet këtë kampionat. Mesfushori Paul Pogba është pezulluar përkohësisht pasi doli pozitiv për doping, përkatësisht për testosteron.

Krahas Fagiolit, suspendime më të rënda për baste priten të paktën edhe për dy futbollistë tjerë. Sandro Tonali dhe Nicolo Zaniolo u larguan nga grumbullimi me Përfaqësuesen e Italisë javën e kaluar pasi u tha se ishin të përfshirë në një hetim nga prokurorët. Tonali është futbollist i Newcastle Unitedit, ndërsa Zaniolo luan për skuadrën e Aston Villas, në Premier League. Tonali gjatë kësaj jave do të paraqitet para prokurorëve dhe raportohet se do të pranojë bashkëpunimin sikurse Fagioli për të zbutur suspendimin. Situata e Zaniolos është krejtësisht ndryshe, të paktën në letër. Avokatët e tij kanë insistuar se Zaniolo kurrë nuk ka vënë baste në ndeshje të futbollit, por vetëm ka luajtur poker dhe nuk e ka ditur se aplikacionet që i ka përdorur ishin ilegale. Nëse konfirmohet kjo, atëherë Zaniolo rrezikon vetëm një gjobë dhe nuk do të suspendohet nga federata italiane.