Sportistët elitarë të Kosovës do të përkrahen më shumë financiarisht deri në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Kështu ka vendosur Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Sipas një njoftimi të lëshuar të hënën, KOK-u ka vendosur ta rrisë vlerën e bursave olimpike për 22 sportistë.
Sportistët që vlerësohen me gjasa për të fituar normë olimpike për “Parisi 2024” do të marrin nga 300 euro më shumë në muaj. Bëhet fjalë për kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, nënkampionen e ropiane, Laura Fazliu, dhe fituesit e medaljeve të bronzta në Lojërat Mesdhetare, Flaka Loxha e Shpejtim Bajoku. Distria, Nora, Laura e Flaka janë xhudiste, ndërsa Shpejtim Bajoku është boksier.
Tani Distria e Nora do të marrin bursë prej 1.300 dollarësh në muaj, përkatësisht prej 1.221 eurosh.
Për 250 euro, bursa mujore u është rritur boksieres Donjeta Sadiku dhe xhudistes Loriana Kuka. Edhe Donjeta e Loriana janë shpresa të mëdha për Paris.
KOK-u ka njoftuar se do të ndajë 2.880 euro më shumë se deri më tani për bursat olimpike. Përmes tyre, sportistët synohet të ndihmohen dhe të motivohen për t’i përmirësuar rezultatet që ta sigurojnë normën për të garuar në Lojërat Olimpike.
Edhe
Dyfishohet përkrahja financiare për sportistet më të mira në Kosovë
Në të vërtetë, në listë ka edhe sportistë që vlerësohen thuajse pa gjasa për të fituar normën olimpike. Por KOK-u, megjithatë, i përkrah në rrugëtimin e tyre.
Si për “Tokio 2020”, shumica e normave priten nga sporti i xhudos, ndërsa me gjasa janë edhe boksierët. Edhe medaljet në Paris synohen nga këto sporte. Në të gjitha sportet e tjera, sigurimi i normës do të ishte sukses i jashtëzakonshëm.
