Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Me Rodgersin në krye, Leicesteri po ëndërron sërish

Foto: Reuters

I rigjallëruar që nga emërimi i trajnerit Brendan Rodgers dhe forma fantastike e sulmuesit Jamie Vardy, ka bërë që Leicesteri sërish t’i shqetësojë ekipet që po luftojnë për top-katërshe në Premier League këtë edicion.

Tre vjet pas suksesit befasues, kur fitoi titullin e kampionit në Angli, Leicesteri ka rastin që të premten (sot) me fitore eventuale ndaj Southamptonit ta kapërcejë Manchester Cityn në tabelë. City pas nëntë xhirove renditet i dyti me 19 pikë, gjashtë më pak se Liverpooli që prin, derisa Leicesteri zë vendin e tretë me 17 pikë.

Në fakt, Leicesteri këtë edicion ka tubuar më shumë pikë pas nëntë xhirove, sesa në edicionin 2015/16 kur nën drejtimin e Claudio Ranierit u stolis me titullin e më të mirit. Kështu që, këtë edicion gjasat janë të mëdha që Leicesteri sërish t'i prishë llogaritë e skuadrave të mëdha që synojnë një vend që siguron pjesëmarrjen në "Champions" edicionin e ardhshëm.

Merita të mëdha për këtë ngritje të Leicesterit ka trajneri aktual Brendan Rodgers. Kur Rodgers mori drejtimin e Leicesterit në muajin shkurt të këtij viti, ekipi ishte i mbushur me lojtarë të talentuar që kishin përkrah ata me përvojë, si sulmuesin Vardy e portierin Kasper Schmeichel që para tre vjetësh ngritën trofeun e kampionit. Rodgers e mori ekipin në një moment të vështirë, pasi Leicesteri gjendej në pjesën e poshtme të tabelës dhe rrezikonte rënien në Championship. Prej ardhjes së tij, vetëm Manchester City, Liverpooli dhe Chelsea kanë tubuar më shumë pikë sesa Leicesteri.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")