Sport

Me Qëndrimin si trajner, Malisheva po ka qëndrueshmëri në rezultate

Katër ndeshje, asnjë humbje dhe asnjë gol i pranuar. Kjo është ecuria e Malishevës nën drejtimin e Qëndrim Kidës.

Kida e mori drejtimin e Malishevës pas dorëheqjes së Senad Alirifës. Me Kidën në krye të shtabit teknik, Malisheva ka seri prej dy fitoresh dhe dy barazimesh. Trajneri Kida thotë se meritat për serinë pa humbje i kanë lojtarët.

Me fitoren e arritur të premten ndaj Gjilanit, Malisheva është ngritur në vendin e katërt në Superligën e Kosovës në futboll me 20 pikë të mbledhura.

“Meritor të kësaj ecurie janë lojtarët si faktor kyç. Çdo ndeshje që e kam udhëhequr, lojtarët e kanë dhënë angazhimin maksimal dhe kanë qenë shumë të disiplinuar në detyrat brenda fushës”, ka thënë Kida të dielën.

Ai insiston se pjesa më e madhe e meritave iu takon lojtarëve.

“Gjithsesi, ne kemi ndryshuar strategji dhe pak filozofi. Por lojtarët janë më meritorët për këto rezultate”, ka theksuar Kida.

Qëndrim Kida debutoi me barazim pa gola kundër Fushë Kosovës, ish-skuadra e tij nga ditët si lojtar. Më pas Malisheva fitoi ndaj Prishtinës 1:0, kurse pa gola u nda edhe me Feronikelin ’74. Të premten mposhti 1:0 skuadrën e Gjilanit në shtëpi.

“Jemi duke punuar shumë, sidomos java e parë ka qenë e zjarrtë për shkak se kemi pasur tri ndeshje brenda gjashtë ditëve. Por punën e kanë lehtësuar kualiteti dhe profesionalizmi i lojtarëve. Ata gjithmonë janë të gatshëm për punë, por është e kuptueshme që për të instaluar në tërësi filozofinë e lojës të cilën dua ta zhvilloj unë, duhet pak kohë. Deri tash jam shumë i kënaqur me ecurinë”, ka shtuar Kida.

Ai si futbollist ka pasur karrierë të suksesshme. Ka fituar edhe trofe, ndërsa synon të dëshmohet edhe si trajner.

“Jemi duke garuar në një ligë ku secili ekip i ka ambiciet e veta. Malisheva ka pasur disa luhatje gjatë rrugës, por unë jam i fokusuar që ndeshjet t’i marrim me radhë. Duhet t’i trajtojmë në mënyrë sa më profesionale, pastaj në fund të sezonit do të ulemi për të bërë llogaritë”, ka thënë Kida.

Kida beson se Malisheva mund të marrë pikë ndaj çdo kundërshtari.

“Besoj te ky grup, te karakteri i këtyre lojtarëve dhe ju garantoj që do të zhvillojmë lojëra të mira”.

Malishevën në javën e 15-të të Superligës e pret punë e vështirë. Në shtëpi do ta presë kampionin e Kosovës, Ballkanin. Kida dhe shtabi i tij teknik do të kenë kohë të mjaftueshme për ta përgatitur atë ndeshje. Superliga ka pushim më të gjatë për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve.