Sport

Me një përjashtim, notarët kosovarë të fundit në garat e ditës së parë të Evropianit

Të hënën ka nisur Kampionati Evropian i notit. Garat e parë të Evropianit në Budapest të Hungarisë janë zhvilluar të hënën paradite, ndërsa kanë garuar edhe notarët kosovarë. Por rezultatet e tyre ishin ato që priteshin – larg rezultateve që kërkohen për të kaluar raundet preliminare ku mund të marrin pjesë të gjithë.

Vetëm Arti Krasniqi prej notarëve të Kosovës ka shmangur pozitat e fundit. Krasniqi, që jeton në Gjermani, ditë më parë garoi në 10 kilometra në ujëra të hapura. Dhe kishte rezultat dëshpërues, duke u renditur vetëm i 30-ti prej 32 garuesve që përfunduan garën. Ka shpresë që ai mund të fitoj normë olimpike dhe për këtë arsye vendi i 30-të ngjalli dyshime. Krasniqi të hënën garoi në 400 metra stil të lirë. Përfundoi i 41-ti me kohë 4:03.39 minuta. Për 16.16 sekonda ishte më i ngadalshëm se fituesi i kualifikimeve. Pas Krasniqit mbetën tetë notarë që e përfunduan garë, ndërsa njëri nuk startoi. Për kualifikim, Krasniqi është dashur të ketë kohë prej të paktën 3:48.41 minuta. Në 50 metra stil të lirë në Evropian garuan dy notaret e reja, Eda Zeqiri e Jona Macula. Eda ishte e parafundit, përkatësisht e 61-ta me kohë 29.16 sekonda.

Jona Macula ishte e fundit (62) me kohë 30.22 sekonda. Dallimi me fituesen e kualifikimeve ishte 4.92 sekonda, përkatësisht 5.98 sekonda. Dren Ukimeraj garoi në 50 metra shpinë. Ishte i fundit, përkatësisht i 54-ti me rezultat prej 29.02 sekonda. Dallimi me të parin e kualifikimeve ishte 4.79 sekonda. I parafundit kishte rezultat prej 27.76 sekonda. Në ditën e parë të Evropianit në not, Kosova garoi edhe në stafeta. Rezultatet ishin goxha të dobëta, nëse krahasohen me rezultatet e përfaqësueseve tjera. Notaret garuan në 4x100 metra në stil të lirë. U renditën në vendin e fundit (16) me kohë prej 4:23.10 minuta. 3.38.20 minuta ishte koha e Holandës që fitoi në kualifikime. Sllovakia ishte e parafundit me kohë 3:50.78 minuta. Sllovaket mbetën 12.58 sekonda prapa fitueseve, ndërsa kosovaret plot 44.90 sekonda.

Jona Macula, Era Budima, Jona Beqiri dhe Eda Zeqiri garuan në stafetën e Kosovës. Edhe notarët garuan në stafetën 4x100 metra. Dolën të fundit (21) me kohë 3:41.71 minuta. Italia ishte e para në kualifikime me kohë 3:12.85 minuta. Portugalia ishte e parafundit me kohë 3:28.52 minuta, pra për 15.67 sekonda prapa Italisë. Kosova kishte 28.91 sekonda vonesë në krahasim me fituesit e kualifikimeve. Olt Kondirolli, Vigan Bytyqi, Dren Ukimeraj dhe Arti Krasniqi garuan në stafetën e Kosovës. Në të vërtetë në Federatën e Notit të Kosovës kishin pranuar para udhëtimit për në Evropian se gjasat për të siguruar ndonjë kualifikim thuajse nuk ekzistojnë. Sipas drejtuesve të FNK-së synim është përmirësimi i rezultateve të notarëve kosovarë.

Në FNK vazhdimisht përmendin mungesën e infrastrukturës si arsye për rezultatet ende larg atyre që sigurojnë ndonjë sukses në ngjarje serioze ndërkombëtare. Kështu vendosja e rekordeve të Kosovës mbetet sfidë. Notarët kosovarë do të garojnë edhe në ditët e ardhshme të Evropianit. Dhe rezultatet pritet të jenë të përafërta me ato të ditës së parë.