Sport

Përmirësimi i disa rekordeve të vendit, “suksesi” i Kosovës në Evropianin e notit

Prishtinë, 23 maj – Eda Zeqiri ishte e 41-a në 400 metra stil të lirë (krol) në Evropianin e notit për seniorë, që përfundoi të dielën në Budapest të Hungarisë. Pas saj ishte Katie Rock e Shqipërisë. Pas tyre ishte Era Budima e Kosovës.

Tri garueset shqiptare ishin të fundit në këtë disiplinë. Koha e tyre ishte larg prej asaj të kërkuar për kalim të kualifikimeve. Eda Zeqiri kishte kohë prej 4:40.13 minuta. Katie Rock kishte kohë prej 4:40.79 minuta, ndërsa koha e Era Budimës ishte 4:53.37 minuta. Eda ishte për 31.26 sekonda prapa fitueses së kualifikimeve. Para saj ishte një garuese nga Sllovakia që kishte vonesë prej 24.07 sekonda.

Ishte kjo gara e vetme në të cilën notaret kosovare janë paraqitur në ditën e fundit të Evropianit. Dhe ajo karakterizon gjithë paraqitjen e notarëve nga Kosova. Garën kryesisht e kanë zhvilluar me garuesit e Shqipërisë, ndërsa pozitat e fundit janë shmangur në pak raste.

Në Federatën e Notit të Kosovës nuk kanë pritur rezultate dukshëm më të mira. Por sukses e vlerësojnë vendosjen e disa rekordeve të vendit.

“Bazuar në gjithë paraqitjen e sportistëve, nuk mund të themi se kemi pritur rezultate shumë më të mira. Por ajo që është arritur, mendoj se tregon për një paraqitje të mirë të sportistëve tanë, duke pasur parasysh se janë përmirësuar disa nga rekordet e Kosovës”, ka thënë për KOHËN, Astrit Haliti, kryetar i Federatës së Notit të Kosovës.

Ai e vlerëson të suksesshme paraqitjen duke llogaritur edhe moshën e re të sportistëve dhe kushtet në të cilat ushtrojnë ata. Thotë se ka ndikuar edhe pandemia.

“Rezultatet e arritura nuk janë ato që do t’i dëshironim. Por nëse i shihni pjesëmarrjet e viteve të kaluara, mendoj se ka përmirësim edhe pse jo i kënaqshëm. Një analizë do ta bëjmë ditëve të ardhshme”, ka theksuar Haliti.

Arti Krasniqi është prej notarëve prej të cilëve është pritur më shumë në Evropian. Por ai nuk ka mundur të dal shumë përtej garuesve tjerë.

“Nuk jam aspak i kënaqur me asnjë garë, përveç 200 metra miks. Nuk shkuan shumë gjëra. Në fillim kam qenë i karantinuar për dy ditë dhe nuk kam mundur të stërvitem. Kam hyrë në maratonë pa ushtrime, ndërsa garat në pishinë nuk kanë shkuar si duhet”, ka thënë Krasniqi. Ai është parë me potencial për të siguruar normë olimpike. Por, paraqitja në Evropian nuk jep shumë shpresë.