Përparim Hetemaj po del të jetë lojtar vendimtar për skuadrën italiane Benevento. Qëkurse trajneri Filippo Inzaghi e aktivizoi sërish mesfushorin kosovar, Benevento ka fituar pesë pikë në tri ndeshje. Ish-reprezentuesi i Finlandës, Hetemaj, e ka fituar sërish vendin në mesfushë. Kanë ndikuar edhe thirrjet e shikuesve të skuadrës italiane që garon në Serie A.
Hetemaj është fizikisht i përgatitur dhe agresiv në mesfushë, ashtu si kërkohet në Serie A, veçanërisht për një ekip që lufton për mbijetesë.
Futbollisti i lindur në Skenderaj pritet të jetë sërish titullar të premten në ndeshjen që Benevento e luan në udhëtim kundër Sassuolos, në kuadër të xhiros së 11-të të elitës së futbollit italian.
33-vjeçari në katër ndeshjet e para të këtij edicioni në Serie A me Beneventon shënoi dy fitore dhe pësoi dy disfata. Por, ai humbi vendin dhe nuk luajti në tri ndeshje rresht. Në të tri ndeshjet ku Hetemaj nuk u paraqit, Benevento pësoi disfata. Por, në tri ndeshjet e fundit, Benevento ka shënuar një fitore dhe dy barazime.
Hetemaj pret rezultat pozitiv edhe ndaj Sassuolos.
Edhe
Karriera e veçantë e Hetemajt, 300 ndeshje në Serie A
“Ne kemi filluar të punojmë nga e marta në funksion të këtij përparimi. Jemi duke punuar me intensitet të lartë, pa e humbur vëmendjen. Unë pres një lojë shumë të vështirë. Sassuolo është një skuadër e fortë, ka treguar se është ekip që luan mirë futboll dhe ka arritur rezultate të mira në shtëpi”, ka thënë Hetemaj.
Ai ka shtuar se Benevento do t’i synojë pikët maksimale.
“Ata kanë lojtarë të fortë në duelet një kundër një. Ne jemi duke i studiuar, por është e qartë se duhet të vazhdojmë ta bëjmë atë që dimë, duke nxjerrë në pah karakteristikat tona. Mund të bëjmë paraqitje të mirë”, është shprehur Hetemaj.
Hetemaj mbulon hapësirë të madhe në fushë. Është organizator goxha i mirë dhe kjo bën që mbrojtësit të ndihen më të sigurt me të në formacion. Por, Hetemaj është modest.
“Pas humbjes nga Spezia kemi punuar shumë në pikat tona të dobëta. Ne arritëm të përmirësojmë diçka, veçanërisht në fazën e mbrojtjes. Kur arrin të fitosh është gjithnjë mirë, sidomos për moralin. Personalisht unë gjithmonë dua të luaj, si të gjithë futbollistët. Kampionati është shumë i gjatë, ndihma e të gjithëve është e nevojshme. Ka periudha në të cilat luan më pak. Unë jam i kënaqur me paraqitjet e mia, edhe pse jemi ende në fillimet tona për ta arritur qëllimin që të mbijetojmë në Serie A”, ka thënë Hetemaj.
Ai krenohet me pothuajse 300 ndeshjet në Serie A, në veçanti gjatë periudhës me Chievon.
Edhe
Përparim Hetemaj largohet nga Benevento
“Nuk më interesojnë rezultatet e skuadrave të tjera, unë mendoj se për ne është e nevojshme të fitojmë sa më shumë pikë për ta siguruar mbetjen ne elitë. Ne po punojmë të përmirësohemi vazhdimisht, ditë pas dite”, ka thënë Hetemaj.
Hetemaj me Beneventon ka kontratë deri në vitin 2021. Ai ndihmoi Beneventon të ngjitet në Serie A.