Në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, skuadra e Dritës njoftoi se ka siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit Ardian Cuculi, i cili do të prezantohej me fanellën e ekipit disa ditë më vonë.
Cuculi, 32-vjeçar, po del të jetë një prej përforcimeve më të qëlluara të ish-kampiones së Kosovës, pasi me të në përbërje Drita ka fituar stabilitet të madh në repartin e mbrojtjes.
Përvoja e Cuculit në Shqipëri dhe Maqedoni është garanci e madhe për Dritën që këtë edicion po lufton për trofe. Ai tashmë është shndërruar edhe në idhull të tifo-grupit “Intelektualët”, të cilët i ka shpërblyer me golin e fitores në derbin e madh kundër Gjilanit (1:0).
Tregon se kishte shumë oferta nga ekipet në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, por e tërhoqi projekti i Dritës, por edhe për shkak të miqësisë që ka me drejtuesit e klubit. Po ashtu ka kohë që e njeh trajnerin e tashëm të Dritës, Ardian Nuhiu, dhe disa prej lojtarëve me të cilët ka luajtur së bashku në ekipet e mëparshme. Vetë CV-ja e Cuculit është një dëshmi se bëhet fjalë për lojtar me përvojë, i cili gjithmonë ka qenë pjesë e ekipeve pretenduese për trofe. Ai karrierën e ka nisur në vitin 2005 te ekipi nga Kërçova, Vëllazërimi 77, për të vazhduar te Shkëndija e Tetovës, Pobeda, Milano e Kumanovës, Partizani i Tiranës dhe Kukësi. Madje Cuculi iu bashkua Dritës pas ndeshjeve që i luajti me Kukësin në kuadër të garave evropiane. Paraqitje në eliminatoret e garave evropiane ka pasur edhe me Shkëndijën e Tetovës dhe Partizanin... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)