Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Me akademi solemne shënohet 30-vjetori i FFK-së

Me akademi solemne është shënuar 30-vjetori i themelimit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Pjesëmarrës në takimin e mbajtur në shkollën fillore “Asim Vokshi”, ku më 20 gusht të vitit 1991 edhe u mbajt kuvendi i parë i themelimit të FFK-së, ishin shumë ish-punëtorë sportivë dhe ish-futbollistë kosovarë.

Është vlerësuar se ishte edhe hapi i parë drejt rrugëtimit të pavarur të futbollit të Kosovës deri në anëtarësimin në UEFA dhe FIFA. Në hyrje të shkollës fillore “Asim Vokshi” është bërë zbulimi i pllakës me datën e themelimit të FFK-së nga Beqir Aliu, Gafurr Kabashi, Ajet Shosholli, Ferat Qorri e Sejdi Mërkoja.

Ish-nënkryetari i kryesisë së parë, Gafurr Kabashi ka vlerësuar jashtëzakonisht guximin e futbollistëve, të cilët sipas tij gjetën kurajë për të luajtur futboll dhe për ta trasuar rrugën e futbollit të pavarur të Kosovës.

Ndërkohë, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka vlerësuar 20 gushtin e vitit 1991 si një datë që do të shkruhet gjithmonë me shkronja të arta në historinë e futbollit të Kosovës. FFK-ja të premten e ka organizuar edhe një ndeshje revyale, në të cilën kanë luajtur futbollistët që ishin pjesë e formimit të Ligës së Kosovës në vitin 1991.