Sport

Mbrojtja e Benficas synon të jetë e suksesshme edhe ndaj Liverpoolit

Duke u përballur me një tjetër sulm të fortë, Benfica me gjasë do të mbështetet mbi të njëjtën formulë mbrojtëse që funksionoi aq mirë kundër Ajaxit.

Benfica e pret Liverpoolin në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, të martën në Lisbonë. Liverpooli është skuadër tjetër sulmuese, e ngjashme me atë të Ajaxit. Kjo ndeshje nis në orën 21:00. Liverpooli ka sulmin e katërt më të mirë në Champions, ndërsa Ajaxi kishte sulmin e tretë më të mirë, por u eliminua nga skuadra portugeze në 1/8 e finales.

Mbrojtja e ngjeshur dhe tranzicionet e shpejta të Benficas funksionuan mirë për një fitore të përgjithshme 3:2 kundër Ajaxit, duke e kthyer ekipin në çerekfinale për herë të parë që nga viti 2016. Pas barazimit 2:2 në ndeshjen e parë në Portugali, Benfica u pozicionua thellë në mbrojtje në ndeshjen e kthimit për të avancuar tutje. Ajaxi kishte prekje të topit dhe harkime më shumë se pothuajse çdo skuadër tjetër në 1/8 e finales, por nuk mundi të kalonte ekipin portugez që luante me disa lojtarë prapa. Ajaxi pati vetëm dy gjuajtje në portë prej 16 tentimeve, ndërsa Benfica shënoi në tentimin e vetëm. Ishte Darwin Nunez (77’) që shënoi me kokë për t’ia siguruar fitoren ekipit portugez.

“Ashtu siç kemi vuajtur ndaj Ajaxit, do të vuajmë edhe ndaj Liverpoolit. Këtë e kemi të gjithë parasysh në ekip, por jemi gati ta dëshmojmë veten edhe në çerekfinale”, insistoi Nunez që këtë edicion ka shënuar 27 gola në 34 ndeshje.

Benfica, që ka triumfuar dy herë në Evropë, është afër kreut në statistikat e mbrojtjes në Ligën e Kampionëve këtë edicion, duke përfshirë spastrimet dhe ndërhyrjet. Skuadra i besoi mbrojtjes së fortë dhe tranzicioneve të shpejta për të mposhtur dhe eliminuar Barcelonan në fazën e grupeve.

Benfica duhej të ndalte një sulmues në formë si Sebastien Haller ndaj Ajaxit. Ndërsa tani do të duhej të ndalonte lojtarët si Mohamed Salah, Diogo Jota, Roberto Firmino dhe Sadio Mane.

“Besoj se jemi gati edhe për një ekip tjetër të madh të Evropës”, tha trajneri Nelson Verissimo.

Humbja e vetme e Liverpoolit në Ligën e Kampionëve këtë edicion erdhi në ndeshjen e dytë kundër Interit në 1/8 e finales. Sikurse Ajaxi, Liverpooli dominoi në posedimin e topit, por në fund u mposht 1:0 në shtëpi. Megjithatë rezultati i mjaftoi Liverpoolit për të avancuar për shkak se në ndeshjen e parë kishte triumfuar 2:0 në Itali.

Benfica shpreson për një përsëritje të triumfit të saj ndaj Liverpoolit 16 vjet më parë, kur eliminoi ekipin anglez me një fitore 1:0 në shtëpi dhe një fitore 2:0 në Angli.

“Është e mundur të përsëritet historia”, tha për “BTV” ish-lojtari dhe drejtori aktual i Benficas, Simao Sabrosa, i cili shënoi një nga golat në Angli. “Sigurisht që është e frikshme të shikosh skuadrën e Liverpoolit, por ne fillojmë me 0:0 dhe 11 kundër 11. Dhe duke luajtur në shtëpi do të kemi një mbështetje të madhe nga tifozët tanë”.

Liverpooli mori më të mirën nga Benfica në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në vitin 2010, duke avancuar pasi humbi 2:1 në Lisbonë dhe fitoi 4:1 në shtëpi në ndeshjen e kthimit. Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, do të ketë në dispozicion një skuadër të plotë për herë të parë që kur mori drejtimin e skuadrës në vitin 2015.

“Duhet të jemi në formën më të mirë të mundshme pasi përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë. Benfica është një prej ekipeve më të suksesshme në Portugali”, ka pranuar Klopp. “Njerëzit tashmë na kanë kualifikuar në gjysmëfinale, por unë nuk e shoh kështu”.

Benfica nuk ka kaluar çerekfinalen që nga viti 1990, përpara se të fillonte epoka e re e Ligës së Kampionëve. Më afër gjysmëfinales së fundmi ishte në vitin 2016, kur u eliminua nga Bayerni në 1/8 e finales. Trajneri i Benficas, Nelson Verissimo, pritet të llogarisë në të gjithë lojtarët për ndeshjen e së martës, duke përfshirë marokenin Adel Taarabt, i cili është rikuperuar nga lëndimi. Po ashtu në mbrojtje janë edhe Jan Vertonghen e Nicolas Otamendi që kanë luajtur te Tottenhami, përkatësisht te Manchester City. Ndërkohë në zemër të mesfushës është Rafa Silva, që ka 15 asistime dhe është lojtari më kreativ i ekipit. Benfica e nisi garimin në Champions në raundin e tretë kualifikues. Ishte e pamposhtur në nëntë ndeshje rresht në të gjitha garat përpara se të pësonte nga Braga në ligën portugeze, të premten. Herën e fundit që Benfica ka arritur në gjysmëfinale ishte në vitin 1990. Atë vit ka luajtur në finale, ku ekipi i drejtuar nga Sven-Goran Erikssoni pësoi 1:0 nga Milani.