Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Liverpooli i fokusuar te ndeshja me Benfican

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka këmbëngulur se finalja e Kupës FA kundër Manchester Cityt të shtunën nuk do të ketë ndikim në përzgjedhjen e ekipit të tij për ndeshjen e kthimit kundër Benficas në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Liverpooli e pret Benfican në stadiumin “Anfield Road” të mërkurën prej orës 21:00, por me një këmbë është në gjysmëfinale. Ekipi anglez e ka fituar ndeshjen e javës së shkuar në Portugali me rezultatin 3:1.

Vikendin e shkuar Liverpooli barazoi 2:2 ndaj Cityt dhe sërish do të përballet me kampionin në fuqi të Anglisë, por këtë herë për trofe. Muajin e shkuar Liverpooli e mposhti Chelsean në finalen e Kupës së Ligës dhe po synon trofeun e dytë brenda një periudhë të shkurtër.

“Ndeshja tjetër nuk ka ndikim në formacionin për Benfican. Orari është super i ngjeshur, por ne duhet të qëndrojmë të freskët, sepse na presin ndeshje të forta”, është shprehur Klopp, që ka shtuar se fokusi është për duelin me Benfican. “Një lojë super e rëndësishme kundër Benficas. Ne u përpoqëm shumë për të arritur në Ligën e Kampionëve dhe tani mund të kalojmë në gjysmëfinale. Nuk do të luajmë për barazim, edhe pse kemi një rezultat të favorshëm”, ka shtuar Klopp.

Me gjithë disavantazhin, te Benfica ëndërrojnë për ta eliminuar Liverpoolin. Këtë e ka pranuar edhe trajneri Nelson Verissimo.

“Kemi besim të madh dhe mendoj se mund të bëjmë diçka edhe pse e kemi humbur ndeshjen e parë me dy gola dallim. Ne do të përpiqemi të shënojmë të parët, pasi nëse bëjmë këtë gjërat mund të ndryshojnë. Kemi ambicie për të eliminuar Liverpoolin dhe nuk do të dorëzohemi”, tha ai.