Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Benfica tregon forcën me kualifikim në çerekfinale të Championsit

Kur Benfica filloi kampanjën në Ligën e Kampionëve, në rundin e tretë kualifikues në gushtin e kaluar, pak prisnin që skuadra portugeze të bënte një ecuri pozitive në garën më të mirë të Evropës për klube të futbollit. Benfica po vinte nga një edicion i zbehtë për standardet e klubit dhe pritjet ishin të ulëta.

Por rund pas rundi, Benfica vazhdoi të luftonte, duke avancuar dhe duke treguar përmirësim nën drejtimin e trajnerit të ri, Roger Schmidt. Tani ekipi tradicional portugez është në formë të shkëlqyer dhe shihet nga shumë njerëz si një nga rivalët që duhet të mposhtet për të shkuar larg në Champions.

Me shortin e çerekfinales javën e ardhshme, Benfica nuk do të konsiderohet si një nga kundërshtarët më të lehtë. Kjo nuk ka ndodhur kohët e fundit, pasi skuadra nuk kishte arritur në 1/8 e finales që nga edicioni 2016/17. Benfica befasoi këtë herë me një ecuri pa humbje për ta fituar një grup të vështirë që përfshinte fuqitë si Paris Saint-Germaini dhe Juventusi. E mposhti Club Bruggen 5:1 të martën mbrëma për fitoren e saj më të madhe në Ligën e Kampionëve në shtëpi, duke kaluar në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 7:1.

“Në këtë fazë të Ligës së Kampionëve ka gjithmonë kundërshtarë të mirë. Ne duhet të respektojmë të gjithë”, tha Schmidt. “Por duke luajtur në këtë mënyrë, me këtë fokus, motivim dhe duke u mbrojtur mirë, ne do të bëjmë maksimumin për të arritur në gjysmëfinale”.

Do të ishte hera e parë që Benfica kualifikohet në gjysmëfinale që nga viti 1990, kur humbi finalen nga Milani. Edicionin e kaluar, Benfica u eliminua nga nënkampioni Liverpooli, në 1/8 e finales.

Edhe Rënia e Benficas në momentin vendimtar Sport Rënia e Benficas në momentin vendimtar

“Ne kishim shumë respekt për Bruggen, por tani jemi të fokusuar në rundin tjetër”, tha sulmuesi Gonçalo Ramos, i cili shënoi dy gola në sfidën e së martës. “Pavarësisht se kush është kundërshtari ynë i ardhshëm, ne do të vazhdojmë të luajmë në të njëjtën mënyrë”.

21-vjeçari Ramos ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Benficas këtë sezon së bashku me Rafa Silvan dhe Joao Marion, të cilët gjithashtu shënuan nga një gol të martën në “Stadium of Light”. Ata janë lidhur mirë me Gonçalo Guedesin, i cili iu bashkua Benficas në afatin kalimtar të dimrit nga Wolverhamptoni.

Chiquinho dhe Florentino kanë bërë punën e vështirë në vijën e parë të mbrojtjes, me mbrojtësin e ri Antonio Silva dhe veteranët Nicolas Otamendi dhe Alex Grimaldo, që po shkëlqejnë para tyre.

Benfica ka humbur vetëm një herë në 42 ndeshje këtë edicion dhe është e pamposhtur në 19 ndeshjet në shtëpi. Është e pamposhtur në 13 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ku ka regjistruar 11 fitore. Aktualisht ka sulmin më efikas në Ligën e Kampionëve me 23 gola të shënuar, një më shumë se Napoli dhe dy më shumë se kampioni në fuqi, Real Madridi. Kryeson ligën portugeze me tetë pikë përpara rivalit më të madh, Portos.

“Ekipi ka punuar shumë dhe gjërat kanë shkuar mirë për ne”, tha Silva.

Edhe Benfica mbështetet në Ramosin e jashtëzakonshëm për ta eliminuar Interin Sport Benfica mbështetet në Ramosin e jashtëzakonshëm për ta eliminuar Interin

Dy herë kampione e Evropës në fillim të viteve ‘60, Benfica kishte arritur për herë të fundit në çerekfinale dy herë rresht në vitin 1968 dhe 1969. Benfica do ta zbulojë kundërshtarin e ardhshëm në shortin e 17 marsit.

Megjithatë, lojtarët e Benficas nuk janë shumë të shqetësuar se me cilin rival do të përballen. Ata synojnë gjysmëfinalen.