Sport

Mbrojtësi saudit “frikësohet” se Messi do ta përjashtojë nëse i bashkohet Al-Hilalit

Mbrojtësi i Përfaqësueses së Arabisë Saudite dhe Al-Hilalit, Ali Al-Bulayhi, ka thënë si në shaka se frikësohet që Lionel Messi do të kërkojë përjashtimin e tij, nëse argjentinasi i bashkohet ekipit saudit. Dy lojtarët patën një fjalosje të ashpër gjatë duelit në Kupën e Botës “Katari 2022”.

Al-Bulayhi e provokoi Messin, i cili ishte kapiten i Argjentinës në fitoren historike të Arabisë Saudite me rezultatin 2:1 në kuadër të fazës së grupeve, të luajtur në nëntor të vitit të shkuar.

Ishte humbja e vetme e Argjentinës në Botëror të cilin arriti ta fitojë në fund. Al-Bulayhi ende e mban në mend fjalosjen me Messin, me të cilin ka gjasa të mëdha të bëhet bashkëlojtar te skuadra e Al-Hilalit. Burime të afërta me Messin kanë bërë të ditur se sulmuesi argjentinas ka marrë një ofertë joshëse nga Al-Hilali për ta vazhduar karrierën në Arabinë Saudite dhe gjasat janë të mëdha që të transferohet në Lindjen e Mesme kur t’i skadojë kontrata me Paris Saint-Germainin në fund të muajit të ardhshëm.

“Nuk e di se çfarë do të ndodh dhe jam i frikësuar që Messi kur të vijë në klub mund të thotë se nuk e dua në ekip lojtarin me numrin pesë. Nuk e di nëse Messi do të vijë apo jo, por nëse vjen, atëherë Zoti të më mbrojë”, ka thënë Al-Bulayhi për mediumet saudite. “Nëse vendos të vijë tek Al-Hilali, atëherë nuk do të shkojë në dy ditët e para në stërvitje derisa ta monitoroj situatën nga larg, në mënyrë që Messi të më harrojë pas fjalosjes që e kemi pasur”.

Mbrojtësi 33-vjeçar ka pranuar se i ka folur Messit në gjuhën arabe në duelin e Botërorit “Katari 2022” dhe e ka ngacmuar vazhdimisht duke i thënë se nuk do të jetë në gjendje ta mposhtë Arabinë Saudite edhe nëse ndeshja luhet “tërë ditën”. Al-Bulayhi ka shtuar se nuk ishte aspak i frikësuar për ta ruajtur Messin gjatë asaj ndeshjeje, duke pasur parasysh se kishte marrë përvojë pas duelit që e kishte pasur me dyshen sulmuese të Uruguait, Endinson Cavani dhe Luis Suarez, në Botërorin e vitit 2018 të mbajtur në Rusi.

“Pas ndeshjes me Uruguain nuk do të frikësohem të përballem me askënd. Madje nuk do të frikësohem të përballem edhe me tre Lionel Messi. Messi është legjendë dhe nuk dua të flas shumë për të, pasi mund të transferohet këtu tek Al-Hilali. Ai është dhe mbetet legjendë”, ka shtuar Al-Bulayhi.

Në rast se Messi vendos të transferohet te skuadra e Al-Hilalit, atëherë argjentinasi do ta ringjallë rivalitetin e madh dhe të vjetër me Cristiano Ronaldon. Sulmuesi portugez prej fillimit të këtij viti është pjesë e ekipit Al-Nassr, rivalit më të madh të Al-Hilalit.