Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mbrëmja në Prishtinë nuk e përshkruan karrierën e madhe të Haxhi Krasniqit

Ka bërë bujë, kryesisht jo për të mirë, fitorja e boksierit Robin (Haxhi) Krasniqit ndaj Nadjib Mohammedit të shtunën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Mohammedi, që është me prejardhje nga Algjeria, por jeton në Francë, u diskualifikua në raundin e nëntë për goditje të palejuara. Gjyqtari në ring, Ajet Rreci, i dha katër herë vërejtje publike Mohammedit dhe më pas vendosi ta diskualifikojë atë. Sjelljet e Mohammedit në ring nuk ishin gjithnjë korrekte. Ai, megjithatë, dominoi në luftë ndaj Krasniqit. Ishte vazhdimisht në ofensivë dhe dha dukshëm më shumë goditje, shpesh herë jo të pastra.

Performanca e gjyqtarit Rreci la shumë për të dëshiruar. Dhe ajo e Haxhi Krasniqit po ashtu. Si rrallëherë në karrierë, Krasniqi, nuk e kishte përgatitjen e duhur. Ai është shumë gjatë në boksin profesionist dhe nëse ka ndonjë gjë që e ka karakterizuar, ishte përgatitja e duhur për meçe. Por jo të shtunën. Me shumë mundësi, Krasniqit më shumë energji i mori përgatitja e mbrëmjes së boksit se përgatitja e tij për meçin. Ai jeton në Gjermani dhe është përgatitur atje për meçin që e ka dëshiruar për kohë të gjatë. Por organizatorët vendosën që mbrëmja e 5 gushtit të promovohet në qytetet tjera të Kosovës, me vizita të Krasniqit. Dhe kjo bëri që boksieri të vinte shpesh në Kosovë. Udhëtimet e shpeshta Gjermani-Kosovë natyrisht se kishin ndikimin në përgatitjen e Krasniqit për meç. Kjo u dëshmua me paraqitjen e tij gati inferiore ndaj Nadjib Mohammedit.

E gjithë mbrëmja, organizimi i saj, la shumë për të dëshiruar. As për së afërmi nuk ishte në nivelin që Haxhi Krasniqi ka prekur në boksin profesionist. Mbrëmja në Prishtinë, e paralajmëruar me shumë bujë, nuk përshkruan karrierën e Krasniqit në boksin profesionist. Ai ka prekur nivele të larta të boksit profesionist, kryesisht falë punës individuale dhe përkrahjes nga familja.

Krasniqi, 36-vjeçar, ka 60 duele në boksin profesionist. Është shifër shumë e madhe. Ka 53 fitore e shtatë humbje.

Mënyra se si ka bërë rrugëtimin në boks është e veçantë. Ka nisur karrierën profesionale pa asnjë përvojë e meç në amatorizëm. Kjo është shumë e rrallë. Nisi në 20 tetor të vitit 2005. Fillimisht është rrahur në salla pa ndonjë shkëlqim në Munih të Gjermanisë. Ngritjen në karrierë e kishte të vështirë, graduale dhe me shumë pengesa. Por e ka shquar konsistenca dhe përkushtimi për të prekur majën.

Edhe Mësohet kundërshtari i radhës i Haxhi Krasniqit Luftarake Mësohet kundërshtari i radhës i Haxhi Krasniqit

Në vitin 2013 boksoi me Natahan Cleverly në “Wembley” në meçin për titull të botës në versionin WBO, kategoria gjysmë e rëndë. Cleverly fitoi me pikë, por për Krasniqin ishte e arritur e madhe që luftoi për titull të botës në njërin prej versioneve më të mëdha.

Nuk u ndal dhe vazhdoi rrugëtimin. Rast tjetër për të luftuar për titull të botës fitoi në vitin 2015. Përballë e kishte legjendën gjermane, Juergen Braehmer, në luftë për titullin në versionin tjetër të madh, WBA. Krasniqi pësoi lëndim dhe dorëzoi meçin në raundin e nëntë. Por shfaqi boks të mirë.

Këto dy meçe, në fakt, ishin kulmi për Krasniqin, që më pas ka mbajtur titullin e Evropës e po ashtu titullin e përkohshëm të botës. Për titullin e përkohshëm të botës e mposhti gjermanin, Dominic Boesel, më 10 tetor të vitit 2020. Kështu Krasniqi u bë boksieri i parë shqiptar me titull të botës. Ai fitoi titullin e përkohshëm në versionin WBA, titull që ndërkohë u shua.

Në vitin 2021 humbi nga Boeseli pas një vendimi shumë, shumë të dyshimtë të gjyqtarëve, për të cilin kampi i Krasniqit u ankua gjatë. Shënoi tjetër fitore në shkurt të këtij viti dhe të shtunën ndaj Mohammedit.

Edhe Krasniqi kthehet në ring, bokson më 4 maj Luftarake Krasniqi kthehet në ring, bokson më 4 maj

Është shpresuar që mbrëmja në Prishtinë do të jetë spektakël boksi. Por për shkak të shiut, e edhe zhvillimeve në ring, shfaqja nuk ishte as për së afërmi ajo që pritej. Dhe fitorja e Krasniqit nuk është një që ai do ta përmendë me shumë krenari. Shumica, nëse jo të gjitha 52 fitoret e tjera të tij, kanë pasur shkëlqim më të madh. Fitorja ndaj Mohammedit u pasua me shumë komente negative dhe përfundimisht nuk është në nivelin e lartë që Haxhi Krasniqi ka prekur në boksin profesionist. Organizimi i mbrëmjes në Prishtinë mori shumë kohë e energji. Dhe në fund efekti ishte i kundërt me atë të synuar.

Karriera e Krasniqit, megjithatë, nuk mund të nëpërkëmbet. Ai derdhi shumë gjak e djersë për gati dy dekada dhe një episod jo i lavdishëm nuk mund të dalë mbi shumë meçe të mëdha, goditje të fuqishme e nokaute spektakolare.