Kylian Mbappe është përfshirë në listën e gjerë të Përfaqësueses së Francës për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, raportojnë mediumet franceze të martën, transmeton Koha.net.
Sulmuesi i Paris Saint-Germainit është në gjendje të luajë në Lojëra Olimpike, pasi është nën 23 vjet.
Mbappe është një nga 80 lojtarët e përfshirë në listën e gjerë, por kjo listë do të ketë reduktime të dukshme para turneut.
Lista fillimisht do të zvogëlohet në 50 lojtarë e më pas do të vendoset për skuadrën finale me 22 lojtarë. Në atë skuadër do të jenë 18 lojtarë nën 23 vjet e katër mbi këtë moshë, sa është e lejuar.
Mbetet të shihet nëse Mbappe do të jetë në skuadrën finale, duke e marrë parasysh se do të jetë me Francën në Evropianin 2020.
Po ashtu Lojërat Olimpike nuk përfundojnë deri më 8 gusht, që nënkupton se ai ka shumë pak kohë për t’u rikuperuar për fillimin e stinorit të klubeve.
“Ai e ka moshën për t’u përfshirë. Si gjithë të rinjtë e moshës së tij që kanë talent, edhe emri i tij gjendet në listë”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Noel Le Graet.
I pyetur se si do të reagojnë krerët e klubeve kur shohin yjet e tyre në skuadrën olimpike, Le Graet ka shtuar: “Presidentët e klubeve, në përgjithësi, shohin datën e Lojërave Olimpike, si jo të mirë”.
Mbappe ka shënuar 27 gola dhe ka asistuar 17 tjerë në 31 ndeshje në të gjitha garat për Paris SaintGermainin këtë stinor.
“Tokio 2020” do të jetë hera e parë pas 24 vjetëve që Franca do të marrë pjesë në turneun olimpik.
Franca e ka fituar një herë të artën olimpike, duke e mposhtur Brazilin në finale të Los Angeles 1984 me shifrat 2:0.
Brazili është kampion në fuqi në futboll në Lojërat Olimpike, pasi kishte ngadhënjyer në “Rio 2016”.