Sport

Mbappe, lider i Francës

Gjithçka duket kaq e drejtpërdrejtë, edhe qesharake ndoshta, për Kylian Mbappen në Kupën e Botës.

Sulmuesi francez, i cili shënoi katër gola kur udhëhoqi vendin e tij drejt titullit katër vjet më parë si fenomen 19-vjeçar, ka shfaqur një tjetër paraqitje impresive dhe ka dëshmuar se sa shkatërrues mund të jetë në fushën e lojës.

Pasi mbaroi gjithçka, Mbappe ishte në disponim të mirë kur Robert Lewandowski u afrua për ta uruar për paraqitjen spektakolare.

Mbappe shënoi dy gola të dielën dhe asistoi një tjetër për Olivier Giroudin për t’i dhënë Francës fitoren 3:1 ndaj Polonisë dhe për ta ndihmuar kampionen e vitit 2018 të shkojë vetëm tri fitore larg mbrojtjes së titullit. Ai është golashënuesi më i mirë aktualisht me pesë gola në Katar, ndërsa “Les Bleus” shkuan në çerekfinale për turneun e tretë rresht.

“Objektivi i vetëm për mua është ta fitojë Kupën e Botës”, tha Mbappe. “Gjëja e vetme që ëndërroj është kjo. Kam ardhur këtu për ta fituar këtë Kupë të Botës. Nuk kam ardhur këtu për ta fituar ‘Topin e Artë’ apo ‘Këpucën e Artë’. Nëse e fitoj këtë, natyrisht se do të jem i lumtur por nuk është kjo arsyeja pse jam këtu. Jam këtu për të fituar dhe jam këtu për ta ndihmuar Përfaqësuesen e Francës”.

Lewandowski, dy herë lojtari më i mirë i vitit nga FIFA, shënoi nga penalltia në kohën shtesë të pjesës së dytë për Poloninë.

Mbappe shënoi golin e parë në minutën e 74-t kur u la i pambuluar dhe gjuajti fuqishëm pas një kundërsulmi të shpejtë. Ai shtoi një tjetër gol në kohën shtesë, kur portieri i Polonisë, Wojciech Szczesny, nuk arriti ta ndalë gjuajtjen e fuqishme nga numri 10-të i Francës.

Pasi ka dhuruar edhe dy asistime, Mbappe lehtësisht mund të vlerësohet si lojtari më produktiv në Katar.

Pas zhvillimeve të fundit, ai shpjegoi pse nuk iu përgjigj mediave në Katar para ditës së diel.

“Kam pasur nevojë të fokusohem në turne dhe në lojën time”, ka thënë Mbappe nëpërmjet një përkthyesi, duke shtuar se ai vullnetarisht do ta paguajë dënimin për Federatën franceze për heshtjen e tij. “Kur dua të koncentrohem në diçka, funksionoj kështu. Dhe për këtë arsye nuk doja të flisja. Jam duke u përgatitur për këtë turne përgjatë gjithë sezonit, fizikisht dhe mentalisht”, shtoi ai. “Doja të isha i gatshëm për këtë turne dhe jam në fakt”.

Mbappe e festoi golin e dytë duke ua bërë me dorë tifozëve të zhurmshëm në stadium. Më pas u kap për transversale pas vërshëllimës së fundit, në një tjetër festim para tifozëve francezë.

Mbappe tashmë ka nëntë gola në karrierë në Kupë të Botës dhe nëse vazhdon të jetë i shëndoshë, me shumë gjasë do të luajë edhe në tri edicione të ngjarjes më të madhe të futbollit – që do të thotë se mund t’i afrohet rekordit të Kupës së Botës me gola të shënuar, e që mbahet nga sulmuesi gjerman, Miroslav Klose, që ka shënuar 16 gola përgjatë katër botërorëve.

“Ai na dënoi sot por e përgëzoj sepse është yll i vërtetë”, ka thënë përzgjedhësi i Polonisë, Czeslaw Michniewicz, nëpërmjet një përkthyesi. “Po flas për Lionel Messin, Cristiano Ronaldon, Robert Lewandowskin. Nëse dikush mund t’i kalojë ata, mendoj se Mbappe do të jetë lojtari më i mirë për shumë vjet”.

Asnjë shtet nuk ka arritur të mbroj trofeun e Kupës së Botës për gjashtë dekada, qëkur Brazili e arriti këtë duke marrë trofe të njëpasnjëshëm në vitin 1958 dhe 1962. Italia është shteti tjetër dhe i vetëm që ka fituar dy botërore rresht, në vitin 1934 dhe 1938.

Përderisa Lewandowski është sulmues i dëshmuar, ai asnjëherë nuk i është afruar fitimit të një trofeu të madh me Poloninë. Në ndeshjen e fundit pati shumë vështirësi për ta pasur topin në posedim.

Mbappe, ndryshe nga ai, përkrahet nga një numër i madh i lojtarëve të talentuar – edhe pse thuajse gjysma e lojtarëve të njohur francez janë jashtë Botërorit shkaku i lëndimeve.

Franca kaloi në epërsi kur Mbappe pasoi për Giroudin dhe sulmuesi i Milanit menjëherë shtyu topin në këndin e portës së kundërshtarit. Ishte goli i 52-të i Giroudit në nivel përfaqësuesesh – që e thyen rekordin e Thierry Henrys si golashënuesi më i mirë i Francës.

Mbappe u hodh në duart e Giroudit për të festuar. Giroud drejtoi shtatë gishta te kamera – pesë në njërën dorë dhe dy në tjetrin, për numrin “52”.

Është edhe më e ëmbël sepse Giroud nuk pritej të ishte titullar në skuadrën e këtij viti deri kur fituesi i “Topit të Artë”, Karim Benzema, u largua shkaku i lëndimit. Giroud po ashtu shënoi dy gola në fitoren e Francës ndaj Australisë, 4:1, në ndeshjen e parë.

Franca, megjithatë, nuk ka qenë shumë e sigurt nëse do të shkonte kaq larg për shkak se disa lojtarë me emër u larguan shkaku i lëndimit pak para nisjes së turneut, përfshirë mesfushorët Paul Pogba dhe N’Golo Kante, mbrojtësi qendror, Prensel Kimpembe, mbrojtësi i krahut të majtë Lucas Hernandez dhe sulmuesi Christopher Nkunku.

Me rekorde në natën e triumfit të Francës, ka vazhduar edhe Hugo Lloris, që e barazoi Lilian Thuramin me 142 paraqitje me fanellën franceze.

Pasi luajtën dy ekipe evropiane, nuk kishte shumë përkrahës nga të dyja shtetet në stadiumin “Al Thumama”, përveç një numri të vogël të tifozëve të Francës që bënin atmosferë prapa njërës portë dhe disa tifozë me ngjyra “kuqebardh” që bërtisnin “Polska”, prapa portës tjetër. Po ashtu, pati një numër të ulëseve të stadiumit që ishin të zbrazëta.