Sulmuesi Kylian Mbappe është përfshirë në ekipin e Paris Saint-Germainit për ndeshjen kundër Real Madridit, përkundër lëndimit në këmbën e majtë kanë njoftuar mediumet e huaja të martën.
PSG-ja, të mërkurën mbrëma do të përballet me Realin në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Në duelin e parë, Parisi fitoi 1:0 në shtëpi ndërsa ndeshja e dytë do të luhet në stadiumin “Santiago Bernabeu”.
Mbappe mungoi në ndeshjen e fundit kampionale, të cilën Parisi e humbi në udhëtim nga Nice kurse të hënën nuk ka mundur ta përfundojë stërvitjen. Megjithatë, mësohet se pas ekzaminimeve mjekësore para nisjes për në Madrid, mjekët e klubit kanë siguruar se 23-vjeçar mund të jetë në gjendje të luajë.