Në Berlin të martën nis faza çerekfinale e Eurobasketit, ndërsa do të paraqitet edhe fundori Edon Maxhuni.
Maxhuni me Finlandën shkëlqeu në 1/8 e finales në duelin kundër Kroacisë. Ai për 22 minuta lojë arriti të shënonte 16 pikë, ndërsa pati edhe një kërcim e tri asistime.
I pandalshëm ishte Lauri Markkanen, që realizoi plot 43 pikë, nëntë kërcime e tri asistime për Finlandën.
Në çerekfinale Finlanda përballet me Spanjën, të martën nga ora 17:15. Bëhet fjalë për dy përfaqësuese me histori krejtësisht të kundërt.
Tri herë kampionia evropiane, Spanja u kualifikua në çerekfinale për herën e 21-të rresht, derisa Finlanda ka arritur në këtë fazë për herë të parë që prej vitit 1967.
Edhe
Finlanda e Maxhuni në gjysmëfinale të Eurobasketit
Spanja në 1/8 e finales e eliminoi Lituaninë me rezultatin 102:94.
Çerekfinalja tjetër e së martës, që luhet nga ora 20:30, është ajo mes Gjermanisë dhe Greqisë.
Historikisht Greqia ka qenë më e suksesshme se Gjermania. Fitorja e fundit e Gjermanisë ndaj grekëve, që udhëhiqen nga ylli i NBA-së, Giannis Antetokounmpo, është ajo e “Eurobasketit 2001”, në raundin eliminator.
Greqia mposhti Gjermaninë në finalen e vitit 2005, në Olimpiadën e vitit 2009 dhe në fazën e dytë grupore të Eurobasketit 2009.
Kësaj radhe Gjermania është nikoqire dhe konsiderohet me gjasa ndaj Greqisë.
Gjermania ka fituar pesë nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara. U mposht nga Sllovenia në fazën grupore, ndërsa e eliminoi Malin e Zi në 1/8 e finales.
“Eurobasketi 2005” ishte hera e fundit kur Gjermania shkoi deri në gjysmëfinale, ndërsa Greqia ka përfunduar e treta në vitin 2009.
Edhe
Maxhuni prej më të mirëve në fitoren e Finlandës
Grekët në 1/8 e finales e eliminuan Çekinë.
Dy çerekfinalet e tjera janë Franca - Italia dhe Sllovenia - Polonia. Luhen të mërkurën.