Finlanda nuk ka pasur fond të mjaftueshëm të lojtarëve për të befasuar Spanjën në çerekfinale të Eurobasketit. Ndonëse ishte në epërsi pas pjesës së parë, Finlanda ka humbur nga Spanja me shifrat 100:90. Ishte kjo çerekfinalja e parë e Evropianit të basketbollit dhe u luajt të martën mbrëma.
Në Berlin, finlandezët nisën furishëm dhe çerekun e parë e fituan 30:19. Epërsinë e mbajtën edhe në çerekun e dytë, ndonëse e humbën atë me 24:22. Në pushim Finlanda shkoi me epërsinë prej 52:43.
Por në vazhdim në shprehje erdhi përvoja e spanjollëve dhe fondi më i pasur i lojtarëve që ka Spanja. Spanja çerekun e tretë e fitoi me rezultatin 30:15, ndërsa të katërtin me 27:23. Në fund rezultati ishte 100:90 në të mirë të Spanjës që tani kërkon tjetër medalje evropiane.
Willy Hernangomez udhëhoqi Spanjën me 27 pikë e pesë kërcime. Lorenzo Brown realizoi 10 pikë e 11 asistime, ndërsa Usman Garuba kishte shtatë pikë e gjashtë kërcime. Juancho Hernangomez realizoi 15 pikë, ndërsa Rodolfo Fernandez i kishte 11 pikë.
Lauri Markkanen ishte sërish shumë i mirë te Finlanda. Ai ndeshjen e mbylli me 28 pikë, 11 kërcime e tri asistime. Fundori kosovar Edon Maxhuni në parket i kaloi 22 minuta, por realizoi vetëm dy pikë. I kishte edhe tri kërcime, katër asistime, por edhe pesë topa të humbur.
Mikael Jantunen i realizoi 18 pikë, ndërsa Alexander Madsen shënoi 13 pikë.