Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Max Verstappen synon të dominojë me Red Bullin

Max Versappen dëshiron të fillojë një epokë dominimi me Red Bullin, pas një fitoreje të pabesueshme në momentin e fundit, për të marrë kështu titullin e parë në Formula 1.

Holandezi 24-vjeçar u bë kampion botëror në finalen dramatike dhe kaotike në Abu Dhabi, në përmbyllje të një edicioni të jashtëzakonshëm. Lewis Hamiltoni kontrolloi garën, por hyrja e veturës së sigurisë bëri që gara të vendoset në xhiron e fundit. Verstappen kaloi Hamiltonin dhe triumfoi.

“Jam shumë i lumtur. Synimi ynë ishte ta fitojmë titullin e kampionit. Dhe e kemi bërë këtë”, ka thënë Verstappen. “Ekipi e di që unë e dua. Shpresoj se mund ta bëjmë këtë për 10 apo 15 vjet së bashku. Nuk dua të ndryshoj asnjëherë. Dua të qëndroj me ta për pjesën tjetër të jetës, nëse ata duan të më kenë”, ka shtuar Verstappen.

Kishte dramë që nga xhiroja hapëse. Verstappen bëri një fillim të zbehtë, ndonëse ishte në “pole-position”. Hamiltoni përfitoi dhe Mercedesi doli para para kthesës së parë. Por situata ndryshoi kur NIcholas Latifi u përplas me Williamsin e tij, pesë xhiro para fundit. Pasi vetura e sigurisë u largua një xhiro para fundit, Verstappen, me goma të freskëta, kaloi Hamiltonin që kishte goma të vjetra. Kështu Verstappen fitoi garën dhe titullin e kampionit.

“Është e pabesueshme. Gjatë tërë garës kam vazhduar të luftojë dhe më pas u krijua mundësia në xhiron e fundit. Është e pabesueshme. Nuk e di çka të them. Ekipi im dhe Honda e meritojnë këtë. Më në fund pak fat për mua”, ka theksuar Verstappen