Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Matthausi kthen fanellën e Maradonas nga finalja e Botërorit 1986

Fanella që e barti Diego Maradona në finalen e Botërorit të vitit 1986 është kthyer tek argjentinasit të enjten, falë legjendës së Gjermanisë, Lothar Matthausit. Matthaus, i cili e kishte shkëmbyer fanellën me Maradonan pas përfundimit të pjesës së parë të finales që e fitoi Argjentina ndaj Gjermanisë në Meksikë, e ka kthyer fanellën historike në një ceremoni të organizuar nga Ambasada argjentinase në qytetin e Madridit.

Fanella, menjëherë do të ekspozohet në muzeun e ri të futbollit në kryeqytetin e Spanjës. “Gjithmonë ka qenë një nder i madh të luash kundër tij”, tha Matthaus për të ndjerin Maradona, nëpërmjet një përkthyesi.

“Si lojtar dhe si person, ai gjithmonë ka qenë një person shumë i rëndësishëm për mua. Ai gjithmonë do të jetoj në zemrat tona”.

Matthaus ka thënë se ai, gjithashtu kishte shkëmbyer fanellën me Maradonan pas finales së Botërorit të vitit 1990 që u mbajt në Itali, të cilin e fitoi Gjermania. Ai zbuloi se ajo fanellë e Maradonas, tani gjendet në një muze në Gjermani.

Fanella që Maradona e barti kundër Anglisë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986, kur shënoi golin e diskutueshëm “Hand of God”, u shit për më shumë se 9 milionë dollarë në një ankand online nga “Sotheby's” në maj, çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë në ankand për një pjesë të kujtimeve sportive. Matthausit iu dha një pllakë në Ambasadën e Argjentinës në shenjë mirënjohjeje për karrierën e tij në futboll dhe kontributin e tij në vlerat sportive.

Artikuj të ngjashëm