Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fanella e Maradonas shitet në ankand për një çmim rekord

Bluza e veshur nga Diego Maradona kur shënoi golin e diskutueshëm që njihet ndryshe si “Dora e Zotit” kundër Anglisë në Kupën e Botës të vitit 1986 është shitur për 7.1 milionë funte, çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë në ankand për një pjesë të kujtimeve sportive. Agjencia “Sotheby’s” që e shiti fanellën në ankandin e organizuar online, që u mbyll të mërkurën, nuk e identifikoi blerësin.

Maradona shënoi dy gola gjatë ndeshjes çerekfinale në Mexico City më 22 qershor të vitit 1986, vetëm katër vjet pasi Britania dhe Argjentina kishin luftuar për Ishujt Falkland. Goli i parë i Maradonës dukej se u shënua me kokë, por argjentinasi e shtyu me dorë në portë, gjë të cilën nuk e vërejti arbitri. Maradona tha më pas se ishte shënuar “pak me kokën e Maradonas dhe pak me dorën e Zotit”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Goli i dytë i Maradonas erdhi pasi dribloi dhe kaloi pothuajse të gjithë ekipin anglez përpara se të mposhtte portierin Peter Shilton. Në vitin 2002, u votua si “goli i shekullit” në një sondazh të FIFA-s. Argjentina fitoi ndeshjen 2:1 ndaj Anglisë, përpara se të shpallej kampione e botës. Pas ndeshjes, Maradona ndërroi fanellën me mesfushorin e Anglisë, Steve Hodge, i cili e huazoi atë për një kohë të gjatë në Muzeun Kombëtar të Futbollit të Anglisë në Manchester përpara se ta nxirrte në shitje.

Maradona, i konsideruar nga shumë si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, luftoi me abuzimin e kokainës dhe vdiq në nëntor të vitit 2020 në moshën 60-vjeçare. Pasi agjencia “Sotheby's” njoftoi shitjen e fanellës muajin e kaluar, të afërmit e Maradonas shprehën dyshime se fanella me numër 10 ishte ajo që ylli i futbollit e kishte veshur në pjesën e dytë të lojës, kur shënoi të dy golat. Shtëpia e ankandeve tha se identiteti i fanellës u konfirmua nga firma e ndeshjeve të fotografive “Resolution Photomatching” dhe u konfirmua nga shefi i departamentit shkencor të “Sotheby's”.

Brahm Wachter, drejtuesi i veshjeve të rrugës dhe koleksioneve moderne të “Sotheby’s”, tha se fanella ishte “një kujtesë e prekshme e një momenti të rëndësishëm jo vetëm në historinë e sportit, por në historinë e shekullit të XX”. Rekordi i mëparshëm për relikte sportive ishte 8.8 milionë dollarë të paguar në një ankand në dhjetor të vitit 2019 për manifestin që nisi lëvizjen moderne olimpike.

Rekordi i mëparshëm për një pjesë të veshjeve sportive ishte 5.64 milionë dollarë për një fanellë të Babe Ruthit të ekipit New York Yankees në vitin 2019. Çmimet e shitjes përfshijnë një tarifë të shtëpisë së ankandit të njohur si “premiumi i blerësit”.