Sport

Fanella e Maradonës del në shitje, vlerësohet rreth pesë milionë euro

Ishte momenti më i mirë - ose momenti më i keq - në historinë e futbollit dhe tani sportdashësit e pasur mund të zotërojnë një pjesë të këtij momenti. Fanella e veshur nga Diego Maradona kur shënoi golin e diskutueshëm që njihet si “Hand of God” (Dora e Zotit) kundër Anglisë në Kupën e Botës të vitit 1986 është në shitje për herë të parë. Organizatori i ankandit “Sotheby's” tha të mërkurën se fanella mund të arrijë më shumë se pesë milionë euro në një ankand online që do të hapet më 20 prill. Brahm Wachter, drejtuesi i “Sotheby”, tha se fanella e Maradonës është “në një listë të vogël të artikujve memoriale sportive më të rëndësishme në botë”.

“Unë kurrë nuk do të arrij të trajtoj më diçka kaq të mirë”, tha Wachter. "Momenti është ikonik në historinë e sportit”.

Maradona shënoi dy gola gjatë ndeshjes çerekfinale në Mexico City më 22 qershor 1986, vetëm katër vjet pasi Britania dhe Argjentina kishin luftuar për Ishujt Falkland. Goli i parë i të madhit argjentinas u dha me kokë, por topin Maradona e goditi me dorë, gjë që nuk e pa gjyqtari. Maradona tha më pas se ishte shënuar “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”.

Goli i dytë i Maradonas e pa atë duke dribluar me topin dhe duke kaluar pothuajse të gjithë ekipin anglez përpara se të mposhte portierin Peter Shilton. Në vitin 2002 u votua si “goli i shekullit” në një sondazh të FIFA-s. Wachter tha se dy golat “balancojnë njëri-tjetrin shkëlqyeshëm” dhe zbulojnë dy aspekte të karakterit të Maradonës.

I pari “ishte vërtet dinak dhe përfshinte një element fati”, tha ai. “Por më pas ai shënoi një gol të dytë, i cili ishte një nga golat më të pabesueshëm – pothuajse engjëllorë – ndonjëherë”.

Argjentina fitoi ndeshjen 2:1 për të vazhduar deri në fund, ku arriti ta fitojë Kupën e Botës. Maradona, i konsideruar nga shumë si lojtari më i madh i të gjitha kohërave, luftoi me abuzimin e kokainës dhe vdiq në nëntor të vitit 2020, në moshën 60-vjeçare. Pas ndeshjes, Maradona ndërroi fanellat me mesfushorin e Anglisë, Steve Hodge, i cili nuk e shiti kurrë atë deri më tani. Për 20 vjetët e fundit, ai ka qenë i huazuar në Muzeun Kombëtar të Futbollit të Anglisë në Manchester. Hodge tha se ai kishte qenë një “pronar krenar” i një fanelle që “ka kuptim të thellë kulturor për botën e futbollit, popullin e Argjentinës dhe popullin e Anglisë”. Sipas Wachter, Hodge kishte vendosur “që është koha e duhur” për të shitur fanellën. Çmimet për reliktet sportive janë rritur në vitet e fundit. Fanella mund të thyejë një rekord për një pjesë të veshjeve sportive, e mbajtur nga një fanellë e Babe Ruth të Neë York Yankees që u shit për 5.64 milionë dollarë në vitin 2019. Fanella do të ekspozohet në sallonin e “Sotheby's” në Londër gjatë periudhës së ofertimit nga 20 prilli deri më 4 maj.