Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Topi i “Dorës së Zotit” të Maradonës u shit për dy milionë funte

Topi i goditur nga Diego Maradona për golin e tij që njihet si “Dora e Zotit” në Kupën e Botës 1986 është shitur në ankand për dy milionë funte nga gjyqtari që humbi këtë moment të famshëm me dorë në një ndeshje futbolli.

Ali Bin Nasser, ish-zyrtari tunizian i ndeshjes që arbitroi ndeshjen çerekfinale mes Argjentinës dhe Anglisë në Meksikë, zotëronte topin 36-vjeçar të kompanisë “Adidas” që u shit në ankandin e firmës “Graham Budd” në Londër për 2 milionë funte, të mërkurën.

Bin Nasser tha përpara ankandit se ai mendonte se ishte koha e duhur për të ndarë artikullin me botën dhe shprehu shpresën që blerësi ta vendoste atë në ekspozitë publike.

Goli i Maradonës që ia dha Argjentinës epërsinë 1:0 në atë ndeshje kundër Anglisë – por nuk duhej pranuar – është bërë pjesë e legjendës së futbollit. Maradona kërceu sikur donte të godiste topin me kokë, por në vend të kësaj e goditi me grusht dhe e dërgoi prapa portierit anglez Peter Shilton. Maradona u tall më pas se goli u shënua “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”, duke çuar në emrin e tij ikonik.

Duke folur përpara ankandit, Bin Nasser tha: “Nuk mund ta shihja qartë incidentin”. Ndërsa shtoi: “Sipas udhëzimeve të FIFA-s të lëshuara përpara turneut, unë kërkova te ndihmësi për konfirmimin e vlefshmërisë së golit, ai u kthye në vijën e gjysmës së fushës duke treguar se ishte i kënaqur që goli duhej të vlente. Në fund të ndeshjes trajneri i Anglisë, Bobby Robson, më tha: ‘Ti bëre një punë të mirë, por ndihmësi ishte i papërgjegjshëm”.

Maradona shënoi edhe golin e dytë që ishte i shkëlqyer kundër Anglisë vetëm katër minuta më vonë me të njëjtin top - i vetmi i përdorur në çerekfinale. Ai vrapoi gati 70 metra nga gjysma e fushës së tij dhe kaloi gjysmën e ekipit të Anglisë përpara se të shënonte për ta dyfishuar rezultatin 0 2:0. Ky gol u votua si goli i shekullit i Kupës së Botës në vitin 2002. Argjentina fitoi ndeshjen 2:1 dhe në fund të turneut u shpall kampione e botës. Maradona vdiq në vitin 2020 në moshën 60-vjeçare. Kupa e Botës “Katari 2022”, e cila fillon të dielën, do të jetë e para që nga vdekja e Maradonës. Fanella e veshur nga Maradona kundër Anglisë u shit në muajin maj për 9.3 milionë dollarë, në atë kohë çmimi më i lartë i paguar në ankand për një pjesë të kujtimeve sportive.