Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Mate”, pija bimore që po e ndihmon Argjentinën në Botëror

Doha, Sulmi fiton ndeshjet, mbrojtja fiton kampionate dhe “Mate” - një pije bimore e dashur nga Përfaqësuesja e Argjentinës - mund të ndihmojë në fitimin e Kupës së Botës. Argjentina po tregon paraqitje të mira në turneun e Katarit, ndërsa ylli i saj, Messi, po shkëlqen. Ai e ndihmoi Argjentinën të kualifikohet në finalen e Botërorit, me pesë gola e tri asistime në gjashtë ndeshje të luajtura.

Megjithëse pësoi një disfatë shokuese nga Arabia Saudite në ndeshjen e saj hapëse muajin e kaluar, skuadra që atëherë është rikuperuar me fitore ndaj Meksikës, Polonisë, Australisë, Holandës dhe Kroacisë. Më 18 dhjetor, të dielën, Argjentina do të luajë në finalen e Botërorit dhe për të drejtën për të mbajtur lart trofeun e Kupës së Botës dhe për të mbretëruar si kampione të paktën deri në vitin 2026.

Një nga sekretet e suksesit të Përfaqësueses së Argjentinës në Katar mund të jetë mënyra se si ekipi hidraton veten. “NYT” raporton të mërkurën, për shembull, se skuadrës së Argjentinës i pëlqen shumë pija bimore “Mate”, aq shumë saqë ka marrë rreth 1.000 litra me vete në Lindjen e Mesme.

“Mate”, e njohur në pjesë të Amerikës së Jugut, është një pije e pasur me kafeinë, e bërë nga gjethet e thara të bimës yerba mate. Mund të pihet i nxehtë ose i ftohtë, si çaj, apo edhe si pije freskuese.

Ekipi i Brazilit kishte rreth 500 litra pije në Katar, ndërsa skuadra e Uruguait solli rreth 300 litra. Megjithatë, për të mos mbetur pas, Argjentina udhëtoi me më shumë se dyfishin e asaj që kishte Uruguai. Pothuajse të gjithë në ekipin e Argjentinës e pinë atë, përfshirë edhe Messin. Ata e pinin pas ndeshjeve, madje edhe në autobusin e ekipit. Është një ritual për argjentinasit të pinë pijen “Mate”.

Mesfushori i Argjentinës, Alexis MacAllister, i cili është pjesë e ekipit në Kupën e Botës, e pranoi se “Mate” është shumë e preferuar në Katar.

“Unë e pi atë më shumë se çdo gjë për të na bashkuar. Të gjithë në ekipin tonë e konsumojnë këtë pije bimore që na ndihmon shumë”, shtoi MacAllister. “Është pije që ka kafeinë dhe na ndihmon”.

Sulmuesi 26-vjeçar i Argjentinës, Sebastian Driussi, i cili përfaqësoi vendin e tij në nivelin e të rinjve dhe aktualisht luan futboll në nivel klubi në Austin FC në MLS, tha se nutricionistët në vendin e tij janë të bindur dhe pretendojnë se kjo pije “ju hidraton”.

“Është si uji për ne. Para ndeshjes, në dhomat e zhveshjes, të gjithë e pinë atë gjatë gjithë kohës. Ne në Argjentinë, ne themi se pija ‘mate’ bën miqësi”, shtoi Driussi.

Nëse Messi do të udhëhiqte Argjentinën në një fitore në finalen e turneut që zhvillohet të dielën, do të ishte një fitore e shumëpritur për një lojtar që ka fituar pothuajse gjithçka përveç Kupës së Botës.

Shija e fitores përfundimtare do të ishte e ëmbël për Messin, ndonëse mund të jetë edhe e hidhur. Megjithatë, Messi dhe shokët e tij do të jenë gati për ta përballuar edhe ndeshjen e fundit të turneut të Katarit, falë pijes magjike “Mate”. Për Argjentinën, ky do të ishte titulli i parë i botës që nga viti 1986.

Artikuj të ngjashëm