Listës së Përfaqësueses së Marokut për Kampionatin Botëror “Katari 2022” i është shtuar sulmuesi i krahut, Anass Zaroury është bërë e ditur të enjten.
Zaroury e ka zëvendësuar mesfushorin Amine Harit, i cili u lëndua vikendin e shkuar duke luajtur për Marseillen.
22-vjeçari Zaroury është pjesë e Burnleyt, ekip që bën gara në kategorinë e dytë angleze dhe këtë sezon ka shënuar pesë gola në 13 paraqitje.
Për Zarouryn, kjo është hera e parë që ftohet te Maroku dhe mund të debutojë në Kupën e Botës që nis të dielën. Ai e ka përfaqësuar Belgjikën në gjeneratat e reja, përpara se të zgjedhë Marokun në nivelin e seniorëve.
Ndeshjen e parë në Botëror, Maroku e luan kundër Kroacisë më 23 nëntor, përpara se të përballet edhe me Belgjikën e Kanadanë në kuadër të Grupit F.