Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Marie-Louise Eta e Union Berlinit, ndihmëstrajnerja e parë femër në Bundesligë

Marie-Louise Eta do të bëhet asistentja e parë femër në historinë 60-vjeçare të Bundesligës, kur skuadra e Union Berlinit të luajë të shtunën. Union Berlini emëroi Etan si ndihmëse të trajnerit të përkohshëm Marco Grote pas shkarkimit të Urs Fischerit gjatë pushimit ndërkombëtar. Fischer e udhëhoqi ekipin drejt suksesit të jashtëzakonshëm gjatë 5 vjetëve e gjysmë, por Union Berlini është i fundit në tabelë këtë edicion në Bundesligë pas nëntë humbjeve radhazi.

Grote dhe Eta u promovuan nga ekipi U-19 i Union Berlinit, i cili ishte i treti si në ligën e tij vendase ashtu edhe në garat e të rinjve të UEFA-s, përpara se të vinte thirrja nga ekipi i seniorëve. Ndeshja e tyre e parë në krye të Union Berlinit është në shtëpi kundër Augsburgut, ekip që është i në katër ndeshjet e fundit. Pavarësisht se Eta do të jetë anëtarja e parë femër e një stafi stërvitor në ligë që nga formimi i Bundesligës në vitin 1963, Unioni, si klub, dëshiron të fokusohet vetëm në situatën e tij të pasigurt sportive.

“Për mua ajo është një trajner futbolli plotësisht i kualifikuar dhe unë e shoh pikërisht kështu, pavarësisht nëse është një grua apo një burrë. Ky vendim nuk ishte një pyetje për një grua, por një vendim për një trajner futbolli që punon me ekipin”, insistoi presidenti i Union Berlinit, Dirk Zingler kur u pyet për emërimin e Etas.

Grote dhe Eta drejtuan seancën e tyre të parë stërvitore të hënën, megjithëse shumë lojtarë mungonin për shkak të detyrave ndërkombëtare. Mbrojtësi italian Leonardo Bonucci nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në këtë stërvitje për shkak të një dëmtimi në kofshë të pësuar në humbjen 4:0 kundër Bayer Leverkusen para pushimit ndërkombëtar. 32-vjeçarja Eta, një ish-mesfushore defensive, i dha fund karrierës së saj si lojtare në moshën 26-vjeçare, kur vendosi të merrte përsipër stërvitjet me ekipin e djemve U15 të Werder Bremenit.

Eta kishte luajtur për Turbine Potsdamin – duke fituar Ligën e Kampionëve në vitin 2010 dhe tre tituj të Bundesligës me këtë ekipin – përpara se të kalonte në Hamburg, Cloppenburg dhe Bremen. Ajo gjithashtu luajti për ekipet e të rinjve të Gjermanisë, dhe më vonë punoi si asistente stërvitore për ekipet e të rinjve të Gjermanisë. Eta mori licencën e saj të stërvitjes profesionale në akademinë e Federatës së Futbollit të Gjermanisë në Frankfurt këtë vit dhe iu bashkua Union Berlinit nga Werder Bremeni në verë. Ajo duket se do të bëhet e para ndihmës-trajnere femër në divizionet më të larta të “pesë ligave të mëdha” të Evropës. Në Francë, Corinne Diacre u punësua si trajnere e klubit të kategorisë së dytë, Clermont në vitin 2014. Ajo zëvendësoi Helena Costan, e cila fillimisht u angazhua, por më pas u largua para fillimit të edicionit duke pretenduar se ajo u injorua nga kolegët meshkuj dhe u përdor si një “fytyrë” për të tërhequr publicitet. Costa ishte trajnerja e parë femër që u emërua në dy divizionet më të mira të çdo lige profesionale evropiane. Në vend të kësaj, Diacre u bë gruaja e parë që drejtoi një ekip futbolli profesionist për meshkuj në një ndeshje zyrtare në Francë.

Skuadra italiane e kategorisë së tretë, Viterbese punësoi Carolina Moracen në vitin 1999, duke e bërë atë gruan e parë që drejtonte një ekip profesionist futbolli për meshkuj, por ajo dha dorëheqjen pas dy ndeshjeve në krye të skuadrës. Skuadra e kategorisë së katërt, Forest Green Rovers u bë klubi i parë profesionist në Angli që emëroi një trajnere femër në korrik të këtij viti, kur angazhoi Hannah Dingleyn përkohësisht. Dingley ishte tashmë në krye të akademisë së ekipit - gjithashtu e para për futbollin anglez. Por mandati i saj si trajnere ishte i shkurtër – ajo u zëvendësua shpejt nga një koleg mashkull.