Real Madridit iu nevojit një dhomë e madhe për ceremoninë lamtumire të Marcelos të hënën. Dhoma duhej të përshtatej me 25 trofetë që ai i fitoi me klubin, më së shumti që një lojtar i Realit i fitoi ndonjëherë.
Mbrojtësi i krahut të majtë edhe zyrtarisht u përshëndet nga Reali pas 16 sezoneve të kaluara në klub, duke shpërthyer në lot dhe duke pasur vështirësi në të folur. Marcelo u desh të bënte një pushim kur filloi të fliste për Raul Gonzalezin, një nga lojtarët që mori pjesë në ceremoninë e mbajtur në selinë e Realit. Braziliani rrëfeu sesi ish-sulmuesi ishte shembull për të, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
“Më duhet të falënderoj Raulin, i cili është ulur këtu”, tha Marcelo. “Më ndihmoi shumë kur erdha për herë të parë. Nuk do të harroj se si më dha një dhuratë dhe shumë këshilla kur lindi djali im Enzo. Ka qenë gjithmonë shumë i kujdesshëm dhe nuk do ta harroj kurrë këtë. Gjithmonë jam përpjekur të ndjek shembullin e tij”.
34-vjeçari Marcelo i dha fund epokës së tij me Real Madridin duke fituar trofeun e tij të pestë të Ligës së Kampionëve me klubin, muajin e kaluar. Ai gjithashtu e ndihmoi Realin të fitonte gjashtë tituj kampioni të Spanjës, katër trofe të Botërorit të klubeve, tri Superkupa të UEFA-s, dy Kupa të Spanjës dhe pesë Superkupa spanjolle. Me Brazilin, ai fitoi një Kupë të Konfederatave dhe dy medalje olimpike.
“Kur vendosa të largohem nga Brazili, doja të luaja për një ekip të madh në Evropë dhe firmosa me Realin në moshën 18-vjeçare. Ka qenë një aventurë e jashtëzakonshme me plot suksese. I arrita të gjitha dhe tani po largohem si lojtari me më së shumti trofe të fituar në historinë e klubit më të mirë në botë”, tha Marcelo. “Pra, kjo është një ditë gëzimi dhe jo mërzie. Erdha këtu si djalosh dhe po largohem si burrë”.
Edhe
Pensionohet legjenda e Real Madridit
Edhe pse i mërzitur, Marcelo tha se nuk do ta ketë problem që në të ardhmen të luajë kundër Real Madridit. Ai zbuloi planet e tij për të ardhmen, duke insistuar se nuk e ka ndërmend të pensionohet, por të vazhdojë të luajë. Synimi i Marcelos është që karrierën ta vazhdojë diku tjetër në Evropë pasi është i bindur se ende mund të luajë në nivelet më të larta.
“Nuk e kam menduar pensionimin për shkak se ende mund të luaj. Po ashtu, nuk mendoj se do të jetë problem të përballem me Realin pasi jam profesionist i vërtetë. Jam i gatshëm edhe për këtë sfidë”, shtoi Marcelo.
Në konferencën e Marcelos ishte edhe trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, që nuk i dha hapësirë të madhe brazilianit në edicionin e fundit. Ancelotti e preferonte francezin Ferland Mendy para Marcelos, i cili në vetëm pesë ndeshje të La Ligas ishte titullar te Reali.
“Këtë sezon nuk kam luajtur shumë, por kam ndier përgjegjësi për shkak se isha kapiten. Nganjëherë isha nervoz me Ancelottin, por kurrë nuk patëm probleme”, pranoi Marcelo.
Edhe
Marcelo do të mbetet në La Liga
Ai iu bashkua Realit në vitin 2007 dhe regjistroi 545 paraqitje në të gjitha garat për klubin spanjoll. Kështu që presidenti i klubit, Florentino Perez, me të drejtë e quajti Marcelon një legjendë. Perez shtoi se Reali gjithmonë do të jetë shtëpia e Marcelos dhe braziliani do ta ketë derën e hapur.
“Në emër të klubit dua ta falënderoj Marcelon për angazhimin me zemër dhe shpirt në secilën ndeshje. Për këtë arsye, Marcelo është dhe mbetet një lojtar unik në historinë e klubit. Në të vërtetë ai është një legjendë dhe jemi krenarë që e kemi pasur për 16 vjet këtu”, ka thënë Perez.