Pesë futbollistë shqiptarë janë ftuar nga përzgjedhësi i Maqedonisë, Igor Angelovski, për ndeshjet e Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Maqedonia më 6 shtator do të luajë në udhëtim kundër Gjibraltarit, kurse më 9 shtator do ta presë Armeninë.
Në listën që përbëhet me 18 lojtarë, Angelvski ka përfshirë dy mbrojtësit e Shkëndijës së Tetovës, Egzon Bejtullin dhe Visar Musliun. Në listë janë edhe Enis Bardhi i Levantes, Arijan Ademi i Dinamo Zagrebit dhe Ezgjan Alioski i Leedsit, transmeton Koha Ditore.
Paraqitja e Ademit është në dyshim, pas lëndimit që ka pësuar në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve, të zhvilluar të martën mbrëma kundër Young Boys.
"Në ekipin tonë janë kthyer Egzon Bejtullai dhe Mite Cikarski. Ne jemi duke e ndjekur situatën e Arijan Ademit që ka lënduar shpinën. Ferhan Hasani i është bashkuar ekipit të Arabisë Sadite dhe prandaj nuk është pjesë e skuadrës. Kjo është lista momentale dhe janë ftuar 90 për qind e lojtarëve që kanë qenë pjesëmarrës me klube në ndeshje kualifikuese. Pres nga lojtarët e mi që t'i fitojmë pikët e para në Ligën e Kombeve. Fokusi ynë është ndeshja e parë kundër Gjibraltarit dhe më pas kundër Armenisë", ka thënë Angelovski të mërkurën në konferencën për media.
Maqedonia është në Grupin 4 të Ligës D të Ligës së Kombeve.