Përfaqësuesja e Italisë po vuan për gola në prag të plejofit për Kampionatin Botëror “Katari 2022” që zhvillohet në muajin mars dhe përzgjedhësi Roberto Mancini po e kërkon sulmuesin e Cagliarit, brazilianin Joao Pedro, ka shkruar “Gazzetta dello Sport” të premten.
Italia dështoi të kualifikohet direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm dhe do të duhet të luajë në plejof.
Joao Pedro nuk ka luajtur kurrë për Brazilin dhe posedon pasaportën italiane, kështu që ai mund të luajë për Italinë.
Bëhet e ditur se Mancini ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Italisë rregullimin e të gjitha dokumenteve për Pedron, të cilin dëshiron ta ketë në dispozicion për ndeshjet e plejofit. Pedro po luan në Itali prej vitit 2010 kurse me pasaportën italiane është pajisur në vitin 2017, pesë vjet pasi u martua me gruan e tij italiane Alessandran.
29-vjeçari këtë sezon ka shënuar shtatë gola në 12 ndeshje për Cagliarin në Serie A. Ai ka qenë efektiv edhe në dy sezonet e fundit, ku ka realizuar 16, përkatësisht 18 gola në kampionatin italian.