Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FIFA ia lejon brazilianit Pedro të luajë për Italinë

Sulmuesi i skuadrës së Cagliarit, Joao Pedro, i lindur në Brazil, është liruar për ta përfaqësuar Italinë, ka njoftuar FIFA të mërkurën. Joao Pedro kishte nevojë për lejen e FIFA-s për të ndryshuar përfaqësuesen pasi ka luajtur më herët për Brazilian në nivelin U17. Ai mbush 30 vjet dy javë para ndeshjes së radhës të Italisë në kuadër të plejofit për Kampionatin Botëror “Katari 2022” që e zhvillon më datën 24 mars.

Kampionia në fuqi e Evropës, Italia, në gjysmëfinale të këtij plejofit do të përballet me Maqedoninë e Veriut. Dhe, fituesi i këtij dueli do të luajë në finale pesë ditë më vonë, me fituesin e gjysmëfinales tjetër që luhet mes Portugalisë dhe Greqisë. Pedro pritet të ftohet nga përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, që ka nevojë për një sulmues tipik. Muajin e shkuar Pedro pati thënë se do të ishte i nderuar nëse do të ftohej të luante për Italinë dhe tani ai mund të jetë në dispozicion të Mancinit pasi është liruar nga FIFA.

“Unë kam një lidhje shumë të fortë me Italinë. Të gjitha që i kam arritur në karrierën time është për shkak të Italisë. Në këtë vend kanë lindur fëmijët e mi. Italia ka vlerë për mua po aq sa Brazili, kështu që do të ndihesha i nderuar dhe i lumtur nëse Mancini do të më merrte në konsideratë”, ishin fjalët e Pedros.

E nëse ftohet nga Mancini për ndeshjet e muajit mars, atëherë Pedro mund të bashkohet me shokët e ekipit si Jorginho, Emerson Palmieri e Rafael Toloi, të cilët kanë lindur në Brazil dhe janë pjesë e Përfaqësueses së Italisë.

Edhe pse ka lindur në Brazil, Joao Pedro ka kohë që e ka fituar nënshtetësinë italiane. Ai prej vitit 2014 është pjesë e skuadrës së Cagliarit, ndërsa këtë edicion është njëri prej sulmuesve më efikas në Serie A. Pedro ka shënuar nëntë gola në 19 ndeshje për Cagliarin që po lufton për të ikur nga pozita e parafundit në tabelë. E krahas Pedros, Federata e Futbollit të Italisë po synon të marrë leje nga FIFA edhe për dy lojtarë të tjerë të lindur në Brazil, të cilët do t’i hynin në punë përzgjedhësit Mancini. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Lazios, Luiz Felipen dhe atë të Romës, Roger Ibanez. Ibanez, 23-vjeçar, ka gjashtë paraqitje me ekipin U23 të Brazilit, por nuk ka marrë ftesë për të qenë pjesë e ekipit A. Ndërkohë Felipe ka katër ndeshje, dy me Përfaqësuesen U20 dhe dy tjera me U20 të Brazilit.

“Federata e Italisë është e interesuar në të gjithë futbollistët që mund të ftohen për të luajtur për Italinë. Ne tashmë po punojmë edhe në disa pozita të tjera, në mënyrë që t’i mundësojmë përzgjedhësit tonë që të ketë më shumë zgjidhje”, është shprehur kreu i federatës italiane, Gabriele Gravina.

Artikuj të ngjashëm