Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Manchester Unitedi në kërkim të përgjigjeve pas eliminimit në Champions

Paraqitja e tretë e Manchester Unitedit në një finale të Ligës së Kampionëve brenda katër vjetësh, në vitin 2011, ishte dëshmia më e mirë se ekipi nga Premier League e kishte vendosur veten në mesin e skuadrave të peshës së rëndë të futbollit evropian.

Por, eliminimi në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve këtë sezon nga RB Leipzigu, të martën mbrëma, është një dëshmi edhe më e fortë se sa poshtë ka rënë Manchester Unitedi që nga epoka e Sir Alex Fergusonit. Futbollistët e trajnerit, Ole Gunnar Solskjaer, luftuan shumë sezonin e kaluar vetëm për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve dhe ishin një këmbë në fazën e nokautit pas fitores ndaj Paris Saint-Germanit, që pasoi me triumf të thellë kundër RB Leipzigut (5:0) në stadiumin “Old Trafford”. Mirëpo, një disfatë tronditëse dhe befasuese në udhëtim nga Istanbul Bashakshehiri i vështirësoi edhe më shumë gjërat për Manchester Unitedin, i cili pësoi në shtëpi edhe nga PSG-ja për t’u eliminuar përfundimisht nga Championsi me humbjen e pësuar në Gjermani nga RB Leipzigu (3:2) në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Unitedi tani duhet të mendojë për ta vazhduar aventurën evropiane në Ligën e Evropës së padëshiruar, garë e nivelit të dytë të Evropës, të cilën e fituan në vitin 2017. Kampioni i trefishtë i Evropës ende e sheh veten si mbret të kontinentit, por rekordi i tyre gjatë dekadës së fundit nuk jep aspak një sinjal të tillë për “Djajtë e Kuq”. Që prej finales së vitit 2011, në të cilën ata u mundën nga Barcelona, Manchester Unitedi ​​më së largu që ka shkuar në Ligën e Kampionëve është çerekfinalja, në vitin 2014 dhe 2019. Ata kanë fituar vetëm dy ndeshje të fazës së eliminimit në Champions në dhjetë sezone. Është trajneri Solskjaer, ai që mori përgjegjësinë e eliminimit të Manchester Unitedit në Leipzig. Në fakt, Manchesteri ishte në disavantazh 3:0 përpara se të bënte një rikthim të vonshëm dhe përfundimisht të pafrytshëm.

“Ne nuk kemi luajtur si ekip mjaft mirë dhe kjo është gjithmonë përgjegjësia e trajnerit”, pranoi Solskjaer. “E kishim parasysh se Leipzigu do të kërkonte fitoren me çdo kusht dhe për fat të keq nuk reaguam si duhet. Në të vërtetë, reagimi ynë ishte shumë i vonshëm”.

Eliminimi nga Liga e Kampionëve nuk duhet t’i errësojë problemet me të cilat përballet Unitedi – që dukej tërësisht i paorganizuar në mbrojtje dhe u dominua tërësisht nga Leipzigu, gjysmëfinalisti i sezonit të shkuar, në pjesëlojën e parë. Kapiteni i Manchesterit, Harry Maguire, ka pranuar se eliminimi nga Liga e Kampionëve është shumë i vështirë dhe se futbollistët duhet të reagojnë në ndeshjet e tjera. Ai pranoi se ashtu në klub nuk ka pritur që garat do t’i vazhdojnë në Ligën e Evropës pasi kanë besuar se kanë cilësi për të shkuar larg këtë sezon në Champions.

“Ishte një grup i vështirë, por ne është dashur ta kalonim me sukses. Këto janë standardet e këtij klubi. Unë jam zhgënjyer për të gjithë, ne kemi punuar kaq shumë për të arritur në këtë garë. Pavarësisht nga grupi i fortë, ne është dashur të bëjmë më shumë për të mbetur pjesë e Ligës së Kampionëve”, ka pranuar Maguire.

Edhe Presioni rritet mbi yjet e Unitedit për ta dëshmuar vlerën e tyre Sport Presioni rritet mbi yjet e Unitedit për ta dëshmuar vlerën e tyre

Ish-lojtarët e Manchesterit, Rio Ferdinand dhe Paul Scholes, të cilët ishin pjesë thelbësore e ekipit të Fergusonit, besojnë se Unitedi ka nevojë për më shumë identitet dhe patjetër duhet të bëjë ndryshime rrënjësore për edicionin e ardhshëm.

“Unë mendoj se Manchester Unitedi duhet të ketë një plan, një strategji për të luajtur vazhdimisht në Champions. Mbi të gjitha, duhet të tregohet i suksesshëm në këtë garë për shkak se është ekip me emër në Evropë”, shtoi Ferdinandi. “Derisa nuk do të ketë identitet dhe ekip të mirë, Manchesteri nuk do të ketë sukses të qëndrueshëm. Ndoshta, mund të ketë ndonjë rezultat befasues, por jo edhe qëndrueshmëri, e cila i mungon”.

Pavarësisht eliminimit, në klub e përkrahin trajnerin Solskjaer për të vazhduar punën e tij në krye të ekipit përkundër thirrjeve të tifozëve për shkarkim. Megjithatë, spekulimet për të ardhmen e teknikut nga Norvegjia nuk do të largohen shumë dhe mbetet të shihet nëse ekipi do të reagojë në kampionat pas eliminimit nga Championsi. Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Phil Neville, i doli në mbrojtje ish-bashkëlojtarit të tij, Solskjaer.

“Solskjaeri ka guxim të madh dhe klubi duhet ta vazhdojë mbështetjen ndaj tij. Ai në asnjë mënyrë nuk bën të largohet pasi është një trajner i mirë. Krejt çka i duhet janë disa përforcime për edicionin e ri dhe jam i bindur se suksesi nuk do t’i mungojë”, tha Neville.

Edhe Yj të rinj, probleme të vjetra për Unitedin në Champions Sport Yj të rinj, probleme të vjetra për Unitedin në Champions

Një zakon i dobishëm që ka Solskjaeri si trajner, është aftësia e tij për të krijuar një rezultat të mirë pas një zhgënjimi të madh. Ai ka një rast unik për ta kthyer situatën në favor të tij, pasi të shtunën, Manchester Unitedi luan në “Old Trafford” kundër rivalit të qytetit, Manchester Cityt.

“Duhet të reagojmë përfundimisht, dhe pres një gjë të tillë prej ekipit. Na pret një ndeshje e rëndësishme në vikend”, paralajmëroi Solskjaeri.