Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Unitedi ka fituar respektin e rivalëve përpara javës vendimtare

Manchester, 5 janar (AP) – Gjatë shtatë ditëve të ardhshme, Manchester Unitedi mund të arrijë një finale të kupës dhe të ngjitet në krye të klasifikimit në Premier League - e gjitha kjo në kurriz të dy rivalëve më të mëdhenj, Manchester Cityt dhe Liverpoolit.

Në fakt, kjo javë mund të jetë triumfuese për trajnerin e Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaerin, i cili vetëm para një muaji ishte nën presion të madh, jo për herë të parë gjatë mandatit të tij dyvjeçar në “Old Trafford”.

Si tifozët e klubit ashtu edhe mediumet angleze bënin presion për dorëheqjen e tij pas eliminimit të Manchester Unitedit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Tani Solskjaer po shihet me një sy krejtësisht tjetër për shkak të përparimit të Unitedit që e ka bërë javën e fundit. Unitedi është klubi më i madh i futbollit anglez, i cili nuk ka fituar trofe që nga viti 2017 dhe u mposht në gjysmëfinalet e tri garave sezonin e kaluar. Megjithatë, Solskjaeri është i fokusuar te ndeshja e parë, ajo e së mërkurës mbrëma kundër Manchester Cityt në kuadër të gjysmëfinales së League Cup, një përsëritje e sezonit të kaluar, por që këtë herë luhet vetëm një ndeshje për shkak të sezonit të ngjeshur, të ndikuar nga koronavirusi.

Dymbëdhjetë muaj më parë, City fitoi ndeshjen e parë në stadiumin “Old Trafford” me rezultatin 3:1 dhe pësoi humbje në ndeshjen e dytë (1:0), por u kualifikua në finale përpara se të triumfojë kundër Aston Villas.

“Jemi zhvilluar shumë gjatë muajve të fundit dhe besoj se kemi formën e duhur jo vetëm për të kaluar në finale, por për ta fituar trofeun. Ekipi është i fokusuar dhe i gatshëm për të dhënë gjithçka nga vetja”, ka paralajmëruar Solskjaeri. “Jemi të uritur për trofe këtë edicion”.

Edhe Liverpool – Manchester United, kryendeshja në Angli Futboll Liverpool – Manchester United, kryendeshja në Angli

Të martën e ardhshme, Unitedi do të udhëtojë në Burnley dhe i mjafton vetëm të shmangë humbjen që ta tejkalojë Liverpoolin në tabelë dhe të zërë vendin e parë në kampionat pas 17 ndeshjeve. Ndërkohë, ndeshjen e radhës në Premier League, më datën 17 janar, Manchester Unitedi e luan në stadiumin “Anfield Road” kundër Liverpoolit.

Aktualisht Liverpooli është lider me 33 pikë, sa i ka edhe Manchester Unitedi që është i dyti, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Në fakt, Manchester Unitedi është në një seri prej dhjetë fitoreve rresht në kampionat dhe javën e ardhshme mund të konfirmohet si lider i ri i elitës së futbollit anglez. Kjo formë e mirë ka bërë që Manchester Unitedi të konsiderohet si favorit për trofe këtë edicion dhe rivalët e tij këtë e kanë parasysh.

Ndoshta kjo edhe ishte arsyeja që trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, jashtë temës, iu referua prirjes së Unitedit për fitimin e penalltive në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes që Liverpooli e humbi në Southampton (1:0), të hënën mbrëma.

“Unë dëgjoj tani që Manchester Unitedi kishte më shumë penallti në dy vjet sesa unë në pesë vjet e gjysmë në Liverpool. Nuk kam ide nëse është faji im, apo si mund të ndodhë kjo”, tha Kloppi që insistoi se Liverpooli ishte dëmtuar për një penallti kundër Southamptonit.

Padyshim se Kloppi e ka në mendje frikën nga Manchester Unitedi deri në fund të këtij sezoni. Pastaj është trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i cili ka ndryshuar qasjen ndaj lojërave këtë sezon duke e bërë ekipin e tij më mbrojtës dhe më pak të prekshëm nga kundërsulmi. Askund kjo dobësi e Cityt nuk ka qenë më e dukshme sesa në ndeshjet kundër Unitedit, i cili ka fituar tri nga pesë derbit e fundit të qytetit të Manchesterit, kryesisht përmes kundërsulmeve. Derbi i fundit mes këtyre dy skuadrave ishte më 12 dhjetor, një ndeshje që u mbyll pa gola dhe me Cityn që u tregua shumë i kujdesshëm në repartin defensiv.

“Kemi bërë një progres të madh dhe jam i bindur se jemi të gatshëm për këtë javë vendimtare për ne. Megjithatë, synimi është që të vazhdojmë me këtë formë deri në fund”, shtoi Solskjaeri. “Ka pasur disa lojëra magjepsëse ndaj Cityt dhe ndiej që jemi afruar gjithnjë e më shumë me të”.

Edhe Derbi më i madh anglez gjen skuadrat në pozita krejt të ndryshme Futboll Derbi më i madh anglez gjen skuadrat në pozita krejt të ndryshme

Solskjaeri ka thënë se prej që i është bashkuar Unitedit në nëntor të vitit 2018, ka qenë një udhëtim i mundimshëm, por ka insistuar se më në fund ekipi i tij është në fazën ku mund t’i sfidojë dy skuadrat më të mira të Anglisë – Liverpoolin e Manchester Cityn. Trajneri norvegjez tha se nuk ka pasur efekte të zgjatura të humbjeve në gjysmëfinalet e sezonit të kaluar – në League Cup, FA Cup dhe Europa League. Në fakt, ai tha se këto humbje vetëm e kanë forcuar më shumë Manchester Unitedin.

“Ne jemi përmirësuar jashtëzakonisht brenda një viti”, tha Solskjaeri.