Përzgjedhësi i Kosovës U19 në futboll, Adil Maliqi, ka debutuar me humbje në ndeshjen e tij të parë në krye të “Dardanëve” të rinj. Kosova U19 është mposhtur të mërkurën nga Shqipëria U19 1:0, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin e Kukësit.
Ka vendosur goli i shënuar në minutën e parë të kohës shtesë nga Adi Kurti. Gëzimi te “kuqezinjtë” ishte shumë i madh, ndërsa futbollistët e rinj të Kosovës protestuan për faull në zonë para shënimit të golit. Kosova dhe Shqipëria do të zhvillojnë një tjetër ndeshje miqësore më 16-të qershor në orën 10:30.
Kosova U19 është duke u përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Evropianit për këtë grupmoshë. Kosova në Grupin 7 është në grup me Ukrainën, Sllovakinë dhe Maltën nikoqire. Dy vendet e para kalojnë tutje.