Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Maldunas, bankieri që po e përfaqëson Lituaninë në Botërorin e basketbollit

Paraqitja në Kampionatin Botëror të basketbollit është ëndërr e realizuar për shumë lojtarë. Për disa, si Gabrielius Maldunas, rrugëtimi deri në ngjarjen globale ishte shumë i veçantë.

Gjiganti 30-vjeçar nga Lituania është dashur të zgjedhë njërin prej dy opsioneve që i kishte për karrierë. Ai në fakt e provoi profesionin e bankierit para se të kthehej sërish në basketboll.

“Është mahnitëse. Është e vështirë të besohet rruga që kam bërë dhe që përfundimisht të vij këtu dhe ta prezantoj vendin në Kupën e Botës. Përfundimisht është ëndërr e bërë realitet”, ka thënë Maldunas, të cilin të gjithë e quajnë Gabas.

Shprehjet në fytyrën e tij dëshmojnë se sa i lumtur është që po paraqitet në Botëror. Buzëqeshja nuk i ndalet asnjëherë.

“Kam diplomuar në ‘Darmouth College’ në SHBA. Kam studiuar për ekonomi. Më pas i kisha dy opsione, të luaj profesionalisht apo të bëj diçka me diplomën e ekonomikut”, ka treguar basketbollisti.

Edhe Ndikimi i madh i Kostas Antetokounmpos te Greqia Basketboll Ndikimi i madh i Kostas Antetokounmpos te Greqia

“Kam provuar të luaj në kategorinë e dytë në Spanjë për dy vjet. Viti i dytë nuk ishte aq i suksesshëm dhe më pas mora një ofertë për të punuar për një bankë në Lituani. Kam menduar se ndoshta karriera në basketboll nuk është për mua, kështu që zgjodha bankën”.

Me 204 centimetra, Maldunas me shumë mundësi ishte bankieri më i gjatë në Lituani në verën e vitit 2017.

Për më shumë se një muaj, Gabas ndryshoi rutinën e mëngjesit. Në vend të ngritjes së peshave merrej me hipoteka, kredi, obligime e gjëra të tjera që kanë të bëjnë me profesionin e bankierit. Shumë terme që për basketbollistët janë pak të njohura, Maldunas i shpjegon gjerësisht.

“Zgjohesh herët në mëngjes. Vesh kostumin, shkon në punë në tetë dhe punon deri në pesë apo në gjashtë pasdite dhe kthehesh në shtëpi. Është ditë e rregullt në zyrë”, ka treguar për ditët e tij si bankier në Lituani, Maldunas.

Atë ndoshta e ka pritur karrierë e madhe në bankë. Por vendosi ta provojë sërish në basketboll.

“Basketbolli është në zemrën time”, thotë ai.

Edhe Heroi i papritur i Lituanisë, Evropa njoftohet me Arnas Velickan Basketboll Heroi i papritur i Lituanisë, Evropa njoftohet me Arnas Velickan

Nevezis Kedainiai, një klub në Lituani, i bëri ofertë Maldunasit që t’i bashkohet në kamp para fillimit të edicionit. Kjo ishte e tëra që i duhej shtatlartit. Kur topi përfundoi në kosh sërish, Maldunas e kuptoi që “llogaria” e vetme që do të bënte në vitet e ardhshme do të ishte se kur të gjuajë e kur të pasojë për bashkëlojtarët.

Askush në bankë nuk u befasua kur ai iu kthye veshjeve sportive në vend të atyre të zyrtarit.

“Bashkëpunëtorët e mi e kanë ditur që kam luajtur më herët. Dhe nuk ishin të befasuar kur u ktheva në basketboll. Ai kaloi dy vjet te skuadra Nevezis, para se të merrte ofertë nga skuadra e qytetit të lindjes, Lietkabelis, në vitin 2019.

Ai ishte konsistent për katër vjet te Lietkabelis. Bëri emër si lojtar i gjatë me këmbë të shpejta dhe që nuk heziton të gjuajë nga distanca kur i ofrohet mundësia. Puna e pandalshme në mbrojtje është ajo që i duhet Lituanisë në Kupën e Botës.

Maldunas i ofron trajnerit Kazys Maksvytis një opsion ndryshe për dallim nga Jonas Valanciunas dhe Donatas Motiejunas.

Edhe Cila është forca e vërtetë e Lituanisë, kundërshtares së Kosovës? Futboll Cila është forca e vërtetë e Lituanisë, kundërshtares së Kosovës?

“Kur luan për Lituaninë, për këto ngjyra, këtë uniformë, ju gjithnjë dëshironi maksimumin. Mendoj që kemi një grup të mirë lojtarësh. Na mungojnë shumë, por jemi një ekip i mirë”, ka thënë Maldunas.

Në fitoren 93:67 ndaj Egjiptit, Maldunas shënoi katër pikë për shtatë minuta në parket. Nuk kishte gjuajtje të humbur, ndërsa i shtoi edhe katër kërcime e dy asistime. Pra, llogaritë i kishte në rregull.