Pas përfundimit të kampionatit të rregullt në futsall, klubi i kryeqytetit Mabetex Prishtina ka arritur të grumbullojë 45 pikë, dhe të jetë me pikë të barabarta me skuadrën rivale për titull, e me këtë rast ka siguruar plasmanin në “play-off”.
E në “play-off” luajnë katër skuadra, të cilat synojnë titullin, Mabetex Prishtina – Besa dhe Liburni – Malisheva, transmeton Koha.net.
Presidenti i Mabetex Prishtinës, Fatos Dili është shumë i kënaqur me ecurinë e klubit në këtë edicion, derisa është optimist se titulli do të rikthehet në kryeqytet.
“Ne fillimisht, jemi tejet të kënaqur që në këtë vit të sakrificës më të madhe që ka kaluar klubi, kemi arritur të organizohemi jashtëzakonisht mirë duke sjell në kryeqytet nivelin më të lartë të lojtarëve. Kemi arritur suksese të konsiderueshme, duke fituar dy turne të organizuar nga FFK-ja, njëri ndërkombëtar. Poashtu kemi arritur që ta përmbyllim kampionatin si lider, duke ndarë këtë pozitë me skuadrën nga Gjakova (Liburnin) me pikë të barabarta”, ka thënë Dili.
Më tutje ai ka folur për fazën e “play-offit”, ku synohet triumfi dhe me këtë rast edhe kualifikimi për në Ligë të Kampionëve.
“Tani faza e ‘play-offit’ na takon me Besën, ku gjatë kampionatit kemi bilanc pozitiv nga dy takimet. Skuadra është duke u përgatitur maksimalisht për sfidat gjysmëfinale që të arrijmë sukses dhe të triumfojmë. Poashtu të kalojmë në finale ku përmes saj synojmë që titullin ta rikthejmë në kryeqytet dhe ta prezantojmë Prishtinën në Ligën e Kampionëve, dhe me përkrahjen e tifozëve tanë ‘Plisat’ besojmë se do të arrihet ky qëllim”, ka thënë Dili për Koha.net.
Liburni e Mabetex Prishtina, si liderë, kanë përparësinë e terrenit vendas kundrejt vendit të tretë dhe të katërt.
Kujtojmë se Mabetex Prishtina ka bilanc pozitiv me skuadrën pejane në të dyja takimet (9-2 në Prishtinë, 0:2 në Pejë). Tani në këtë fazë kush arrin t’i sigurojë dy fitore nga tri ndeshjet gjysmëfinale, do të kalojë në finale.
Ndeshja e parë zhvillohet në Prishtinë, më 18 maj 2019 me fillim nga ora 20:45.
Në një postim në Facebook klubi nga kryeqyteti ka ftuar “Plisat” për mbështetje.
“Ju ftojmë të gjithëve të rrugëtojmë së bashku drejt titullit kampion. Prania juaj na jep motiv shtesë drejtë triumfit”, thuhet në postim.
Ndeshja tjetër gjysmëfinale ndërmjet Liburnit dhe Malishevës luhet më 19 maj.
