Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lulet e Margaritas për Atletico Madridin

Çdo buqetë përmban disa karafila të kuq dhe disa karafila të bardhë, me dy lule margarita në mes për nder të krijueses së saj, Margarita Luengos. Këto janë bërë lulet më të famshme në futbollin spanjoll dhe për 24 vjet rresht, asnjë ndeshje në shtëpi e Atletico Madridit – pavarësisht nga gara – nuk është zhvilluar pa një buqetë të tillë lulesh që është vendosur pranë flamurit të kornerit në anën e majtë të portës në pjesës jugore të stadiumit, shkruan FIFA. Historia e kësaj buqete të luleve është e jashtëzakonshme dhe ka nisur para më shumë se dy dekadave për t’u shndërruar në traditë tek ekipi spanjoll.

Përralla e buqetës

Gjithçka filloi më datën 27 qershor të vitit 1996. Atletico po luante në shtëpi me Athletic Bilbaon dhe në lokalin e klubit të tifozëve që Margarita e frekuentonte, kishte një vazo që përmbante karafila të kuq dhe të bardhë. Këtu edhe nis gjithë përralla e buqetës me lule për Atletico Madridin. “Unë i kërkova presidentit të klubit katër prej tyre dhe thashë se do të hidhja një në fushë pas secilit prej katër golave që do të shënonim atë ditë”, kujton Margarita, që kishte parashikuar se ekipi i saj i zemrës do të fitonte dhe shënonte të paktën katër gola. Dhe kështu ndodhi. Atletico e mbylli ndeshjen me fitoren 4:1, ku në mesin e golashënuesve ishte edhe idhulli i Margaritas, Milinko Pantiq. “Më pëlqente mënyra se si ai i godiste gjuajtjet e lira dhe rivëniet nga këndi”, thotë Margarita, e cila shpjegon se për çfarë arsye ajo filloi të vendoste lulet e saj pranë flamurit të kornerit. Një pasdite, në fund të një ndeshjeje, Pantiq i hodhi lulet në turmë, duke e nxitur Margaritën t’i linte atij një mesazh në buqetën tjetër: Unë i vendosa. Pantiq, të lutem mos i hidhni këta karafila në turmë. Ata janë për ty”. Kështu filloi një lidhje miqësie që është ende aktive. “Pantiqi thotë se burri im dhe unë jemi prindërit e tij spanjollë”, krenohet Margarita. Në ditën që ish-mesfushori luajti ndeshjen e tij të fundit për Atleticon, ai i dhuroi fanellën Margaritas. Dhe, tani ajo fanellë është e ekspozuar në muzeun e skuadrës nga La Liga.

Etiketimi së bashku me të dashurin

Në të gjitha këto vite, vetëm një herë Margarita dhe lulet e saj kanë munguar në një lojë të Atleticos në shtëpi, ose në “Vicente Calderon” ose në “Estadio Wanda Metropolitano”, stadiumin e ri të klubit. Ishte për shkak të vdekjes së një shoku të familjes dhe rezultoi që vajza e saj të merrte thirrje dhe mesazhe të panumërta nga fansat që pyesnin vazhdimisht për një prej tifozeve më të shquara të klubit. Për më tepër, kur Atletico luajti ndeshjen e fundit në “Vicente Calderon” në vitin 2017, 57 mijë tifozët që e kishin mbushur stadiumin atë ditë përnjëherë ndaluan të brohorisnin për ekipin e tyre për të duartrokitur dhe për t’i kënduar Margaritës. “Unë u preka shumë”, tha ajo, dhe ende e ka flamurin që fansat e kanë bërë për nder të saj. Ironikisht, kur Margarita filloi të marrë pjesë nëpër ndeshje rreth 50 vjet më parë, ajo nuk ishte aspak e interesuar për futbollin dhe këtë e pranon edhe tani. “Unë fillova të shkoja kur burri im dhe unë filluam të takoheshim. Në atë kohë, pothuajse nuk kishte fare femra në stadium dhe thosha me vete se a është normale t’i kaloj dy orë vetëm për shkak të dashurit tim”, kujton Margarita. “Unë do të kisha preferuar të shkoja të kërceja me miqtë e mi, por atëherë nuk do ta kisha parë të dashurin tim. Kështu që, ishte ose të shkoja me të në futboll ose të mos e shihja fare për fundjavë”. Mirëpo, gjërat ndryshuan shumë shpejt dhe Margarita u lidh shumë me Atletico Madridin. “Unë nuk e di se si u futa kaq shumë në futboll, saktësisht në klubin e Atletico Madridit”, thotë ajo. Në fakt, këto ditë ajo është e vendosur që të mos humbasë asnjë lojë, tani që burri i saj Dionisi, i cili ka një sëmundje të zemrës, nuk është më në gjendje për atë lloj emocioni. Në 50 vjetët që ajo ka ndjekur Atleticon, Margarita ka ndërruar pelenat dhe i ka ushqyer me shishe fëmijët e saj në stadium. Ajo gjithashtu ka udhëtuar në shumë pjesë të Evropës me klubin e saj të tifozëve. “Unë shkova në Çeki për një ndeshje në kuadër të kupave evropiane dhe udhëtova në të gjithë Spanjën pas rënies së Atleticos në divizionin e dytë”, pranon Margarita. Margarita është një prej tifozeve të çmendura, që në stadium gjatë tërë kohës kërcen dhe brohorit për ekipin e saj të zemrës.

Vetëm pandemia e koronavirusit, e cila i ka mbyllur stadiumet e futbollit spanjoll për publikun që nga muaji mars, ka parandaluar mbajtësen e biletave sezonale, 73-vjeçaren të shikojë personalisht ndeshjen nga vendi i saj në tribunën e jugut. “Pandemia më ka goditur vështirë, sepse nuk po mund ta përballoj faktin që mos të mund të shkoj në stadium. Unë nuk di si të jetoj pa futboll dhe ndeshje, dhe po e shoh vërtet të vështirë. Megjithatë, buqeta e zakonshme e luleve edhe tani vendoset para çdo ndeshjeje që Atletico e luan në shtëpi dhe kjo paksa më qetëson”, shprehet Margarita.

Edhe Tregimi i pabesueshëm i fanellës milionëshe Futboll 1 j. më parë Tregimi i pabesueshëm i fanellës milionëshe

Thirrja nga Koke

Pas muajve të bllokimit nga pandemia COVID-19 dhe pa ndeshje futbolli, rifillimi i garave në La Liga në muajin qershor paraqiti një dilemë të pazakontë: nëse Margarita nuk mund të shkonte në stadiumin “Wanda Metropolitano”, çfarë do të ndodhte me lulet e saj? Pastaj, disa ditë para ndeshjes së parë të Atleticos në shtëpi, Margarita mori një telefonatë. “Ata më telefonuan për të më pyetur se çfarë vendosja normalisht në tufën e luleve”, tregon Margarita. Ajo që Margarita nuk e priste, megjithatë, ishte një telefonatë me video nga kapiteni i Atletico Madridit, Koke, në ditën e ndeshjes. “Kur pashë që ishte Koke, fillova të qaja si e çmendur. Ai më kishte thirrur për të më pyetur se si ta vendoste buqetën, dhe unë duhej t’i thosha: ‘Pak më shumë në këtë mënyrë, pak më shumë në atë mënyrë’. Dhe, tani ata vazhdojnë ta bëjnë atë”, thotë Margarita me krenari. “Unë u thashë atyre se do të doja ta vazhdonin ta vendosnin buqetën me lule derisa të mund të shkoja përsëri atje, dhe kështu po bëjnë. Ata më kanë trajtuar aq mirë në të gjithë këtë kohë dhe jam me fat që jam tifoze e klubit”. Tani për tani, megjithatë, Margarita vazhdon të brohorasë për Atleticon e saj nga shtëpia, duke numëruar ditët derisa ta shohim duke i vendosur përsëri lulet e saj në atë cep në çdo ditë të ndeshjeve.