Romelu Lukaku ka thënë se 23 prej 25 lojtarëve të Interit ishin të sëmurë gjatë janarit.
Sulmuesi ka thënë se ata kanë pasur kollë dhe ethe por se nuk janë testuar për Covid – 19.
Deri më tani te Interi nuk është konfirmuar ndonjë rast me koronavirus, me gjithë faktin se është në Lombardi, epiqendrën e pandemisë në Itali.
Tani sulmuesi Lukaku ka sugjeruar se ka pasur disa situata të pazakonta në muajt e kaluar. Ai këto “zbulime” i ka bërë gjatë një bisede në Instagram me Kat Kerkhofs, që është prezantuese në një televizion belg dhe gruaja e futbollistit të Napolit, Dries Mertens.
“Ne kemi pasur një javë të lirë në dhjetor. U kthyem në punë dhe të betohem që 23 prej 25 lojtarëve ishin të sëmurë. Nuk po tallem. Ne kemi luajtur ndaj Cagliarit dhe pas 25 minutave, një prej mbrojtësve tanë është dashur të largohet nga fusha. Ai nuk ka mundur të vazhdojë dhe për pak nuk i ra të fikët”, ka thënë sulmuesi belg, Lukaku.
Ai i është referuar mbrojtësit Milan Skriniar, që u zëvendësua pas 17 minutave në atë ndeshje të 26 janarit. Zyrtarisht ishte thënë se ai kishte marramendje dhe nuk ishte shëruar plotësisht nga një grip.
Edhe
Lukaku në prag të kthimit nga lëndimi
Rastet e para me koronavirus në Itali janë paraqitur më 21 shkurt, kështu që lojtarët e Interit nuk janë testuar.
“Të gjithë kanë kollitur dhe kishin ethe. Kur bëja ngrohjen e zakonshme, ndihesha shumë më nxehtë se zakonisht. Nuk kam pasur ethe për vite të tëra”, ka shtuar Lukaku.
“Pas ndeshjes ishte e planifikuar një darkë me mysafirët nga Puma, por unë i kam falënderuar ata dhe kam shkuar direkt në shtrat. Ne asnjëherë nuk jemi testuar për Covid – 19, kështu që nuk e dimë saktë”.