Kur Parwaiz Arabzai prezantohet me turmën në “Hexagone MMA 6”, ai duket përkufizimi i një luftëtari profesionist i arteve marciale të përziera. Ai ka fizikun dhe muskujt të Conor McGregorit apo të Khabib Nurmagomedovit. Ai ngjitet i sigurt në kafaz dhe ngre lart grushtin, përpara se prezantuesi të bërtasë në mikrofon: “Parwaiiiiz… Hhhhhharabzaiiiii!!”.
Pas pak 24-vjeçari do ta ndjekë Nika Kobaxidze të Gjeorgjisë rreth kafazit, për të humbur në raundin e tretë me dorëzim. Është një fat që mund të presë çdo luftëtar në një sport ku një gabim mund të kushtojë shumë. Për Arabzain, rekordi profesional i të cilit tani është 4-3-0 pas asaj humbjeje në janar, disfata dhemb më shumë sesa për shumicën. Ai nuk ka familje ku të kthehet, nuk ka shtëpi dhe nuk ka punë të qëndrueshme. Nëntë vjet pasi ai u largua nga Afganistani si një refugjat adoleshent, dështimi për të bërë një karrierë si luftëtar nuk është një opsion.
“Kur mbërrita në Francë isha në rrugë. Pastaj kur fillova stërvitjet, ishte një motivim i madh”, tha Arabzai për “Al Jazeeran”. “Tani jam profesionist, kam luftuar për organizata të ndryshme dhe dua të jem një shembull edhe për të tjerët – për të treguar se sa i rëndësishëm mund të jetë sporti”.
Arritja e Arabzait është tashmë gjigante – nga të qenit i pastrehë në Paris deri tek arritja e gradave profesionale të MMA me meçet e tij të transmetuara në mbarë botën në kanalin DAZN. Por edhe në këtë nivel varfëria mbetet një kërcënim i madh. Luftimet e tij të para i fituan rreth 1.000 dollarë. Tani ai sapo është stërvitur për dy muaj për një luftë që duhej t'i paguante 2.000 dollarë më 3 qershor. Por ajo u anulua në minutën e fundit për shkak të parashikimit të motit të keq në Beziers në jug të Francës, ku turneu duhej të ishte mbajtur në ambient të hapur. Hera e fundit që ai luftoi ishte humbja në Paris në janar. Ai duhej të gjente ende para për të paguar ushqimin, një vend për të jetuar, një trajner, të udhëtojë në takimet e tij me shërbimet sociale franceze dhe shpenzimet mjekësore.
“Luftëtarët e tjerë, mund të jenë në shtëpi të qetë me familjet e tyre, të kenë pak punë, por jeta ime është shumë e komplikuar”, thotë ai. “Unë kisha një kontratë të përkohshme në një market, por e ndalova për shkak të stërvitjeve intensive. Më duhet një sponsor, kam nevojë për përkrahje”.
Edhe
Khabib: Luftëtarët nga Dagestani vijnë, rrahin të tjetër dhe marrin paratë – amerikanët nuk e duan këtë
“Kam humbur gjithçka”
Ndërsa Arabzai filloi me këtë sport pasi mbërriti në Evropë, shumë nga bashkatdhetarët e tij përdorën dy dekadat midis sundimit të talebanëve për të avancuar në MMA dhe karrierën e tyre në Afganistan. Një nga ata luftëtarë ishte Sayed Waris Hashime, 25 vjeç, i cili deri në vitin 2021 po lulëzonte në nivel klubesh në Kabul. Ai fitoi shumë breza amatorë dhe ishte shumë i popullarizuar në Kabul. Por, kur talebanët morën përsëri kontrollin në gusht të vitit 2021, MMA u ndalua dhe luftëtarët kishin frikë për jetën e tyre. Hashime thotë se luftëtarët që ai i njihte ishin vrarë. Hashime ishte veçanërisht në rrezik, pasi kishte qenë ushtar në Ushtrinë Kombëtare Afgane dhe një nga rojat ceremoniale të ish-presidentit Ashraf Ghani. Edhe Hashime tani është në Evropë. Por ndryshe nga Arabzai, i cili garon për Francën, Hashime është pa shtetësi. Ai thotë se pasaporta e tij afgane është djegur nga rojat e burgut në Turqi. Ai iku në Zvicër, ku tani është në pritje të një vendimi nëse mund të qëndrojë. Ai nuk është në gjendje të punojë ose të ndjekë ambiciet e tij për një karrierë profesionale, ndërsa kërkesa e tij është në shqyrtim.
“Shkaku i talebanëve, humba gjithçka. Unë u largova në Evropë për të kërkuar një vend të sigurt për të ardhmen time”, tha Hashime. “Kam kaluar nëpër shumë burgje. Jam në procedurë për azil. Unë jetoj në një shtëpi refugjatësh dhe marr ndihmë minimale sociale për të blerë ushqime. Stërvitem vetëm në park sepse nuk kam para për të shkuar në palestër”.
“E gjithë puna në rrezik”
Baz Mohammad Mubariz, 33 vjeç, i cili themeloi federatën MMA në Afganistan në 2008 dhe organizoi kampionatin në Afganistan, tani po jeton pa vizë në Tajlandë pasi u arratis nga Kabuli. Ai thotë se jeta e tij u kërcënua në Afganistan ndërsa protestoi kundër mbylljes së federatës MMA. Ishte një betejë të cilën ai e humbi, pasi kishte mbikëqyrur sportin e MMA-së në Afganistan në 15 vjetët e fundit.
“Në fillim askush nuk e pëlqeu MMA-në. Familjeve nuk u pëlqente ti dërgonin fëmijët e tyre sepse e konsideronin sport të dhunshëm. Më vonë gjërat ndryshuan për të mirë sepse po merrnin pjesë nëpër gara dhe kishim suksese”, tha Mubariz. “Por tani kufizimet e talebanëve për mbajtjen e garave profesionale MMA do të thotë se motivimi dhe shpirti i luftëtarëve MMA të Afganistanit është shkatërruar plotësisht. E gjithë puna e bërë për vite të tëra tani është në rrezik”.
Edhe
Itauma me mesazh të qartë pas humbjes: Do të kthehem
Ndërkohë, për luftëtaret femra, situata është krejtësisht e pashpresë. Me vizën tajlandeze të skaduar, Mubariz, ashtu si Hashime, nuk mund të garojë apo të sigurojë jetesën nga profesioni i tij. Në Paris, Arabzai të paktën nuk e ka atë problem – ai mund të garojë nën flamurin francez, duke marrë edhe flamurin afgan në luftimet e tij. Por ëndrra e tij për një karrierë sportive, ose të paktën një jetë të qëndrueshme varet në balancë.
“Parwaiz është në fillim të karrierës së tij profesionale, kështu që paratë që ai merr nga luftimet nuk janë të mjaftueshme për ta lejuar atë të jetojë”, thotë trajneri Mathieu Nicourt, i cili vuri re potencialin e refugjatit të ri. “Herën e parë që e pashë në palestër e dija se Parwaiz ishte një luftëtar. E dija se do të bëhej profesionist”.