Vëllai i Theo Hernandezit, Lucasi, nuk ka qenë aspak i lumtur me anulimin e golit të Ismael Bennacerit të martën mbrëma dhe shkroi në “Instagram” se ky ishte një vendim skandaloz, por më vonë e fshiu postimin.
Goli i Bennacerit në minutën e 66-të u anulua për pozitë jashtë loje pas rishikimit të VAR-it.
Interi ishte në avantazh 2:0, por Milani do të kualifikohej në finale të Kupës së Italisë me barazimin 2:2, pasi goli si mysafir në Itali qëndron edhe për këtë sezon.
Shënimi i Bennacerit nuk do të ishte i mjaftueshëm, por do t’u jepte “rossonerëve” shpresë për minutat e fundit të ndeshjes.
Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, trajneri Stefano Pioli dhe tifozët e Milanit e kanë kritikuar shumë gjyqtarin Maurizio Mariani.