Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lojtarët e Sassuolos vrapojnë në fusha të zbrazëta, në rikthimin në stërvitje

Sassuolo të hënën është bërë klubi i parë i Serie A së Italisë që i është rikthyer stërvitjeve pas ndalesave shkaku i koronavirusit, ndonëse është ende një rrugë e gjatë nga normaliteti. Një numër i vogël i lojtarëve të Sassuolos kanë vrapuar në fusha të zbrazëta.

Klubi i Serie A ka postuar video në Twitter duke treguar lojtarët gjatë stërvitjeve individuale, ku secili prej tyre kishte një gjysmë-fushe. Klubi ka kufizuar numrin e lojtarëve që mund të stërviten njëkohësisht në gjashtë, ndërsa ata do të ndahen në tri fusha. Klubi ka thënë se kthimi në fushë stërvitore nuk është i detyrueshëm.

Qeveria të dielën ka dhënë leje që lojtarët të fillojnë me stërvitje individuale në kompleks stërvitor. Mirëpo, nuk do të lejohet stërvitja në grup deri më 18 maj dhe është ende në dyshim nëse do të lejohet vazhdimi i stinorit në Serie A.

Klubet tjera në Serie A pritet të rikthehen në stërvitje gjatë javës.

Ndeshja mes Sassuolos dhe Brescias, e zhvilluar më 9 mars, ishte e fundit që u luajt në Serie A para se të pezullohej kampionati shkaku i pandemisë së koronavirusit. Sassuolo fitoi ndeshjen me rezultatin 3:0.