Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të hënën pasdite e ka zhvilluar stërvitjen e parë për dy ndeshjet e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, kundër Moldavisë më 3 shtator në Parma të Italisë dhe kundër Greqisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë (6 shtator).
Në stërvitjen e mbajtur në Prishtinë ishin Amir Rrahmani, Anel Rashkaj, Ibrahim Dresheviq, Bersant Celina, Atdhe Nuhiu, Florent Hadërgjonaj, Florent Hasani, Besar Halimi, Arijanet Muriq, Visar Bekaj, Mërgim Vojvoda. Të veçuar nga grupi stërvitën Bernard Berisha, Valon Berisha dhe Fidan Aliti.
I pranishëm ishte edhe Arbër Zeneli, që kthehet te Kosova pas një pauze të gjatë shkaku i një lëndimi të rëndë. Por, Zeneli nuk stërviti pasi arriti vetëm në orët e vona të së hënës.
Rashkaj ishte i përfshirë në listën rezervë, por të hënën u ftua për të marrë pjesë në grumbullim. Në listën rezervë janë Mirlind Kryeziu dhe Florian Loshaj, derisa grupit për ndeshjen kundër Greqisë pritet t’i bashkohen edhe Florent Muslija e Arbenit Xhemajli. Këta dy futbollistë do të luajnë për U-21 të Kosovës të premten ndaj Anglisë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.