Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Loew i irrituar, po kërkon të rregullojë problemet te Gjermania

Përzgjedhësi i irrituar i Gjermanisë, Joachim Loew, ka pranuar se skuadra e tij ka një problem udhëheqjeje që duhet patjetër korrigjuar pas tri barazimeve rresht derisa interesi i brendshëm për ekipin kombëtar vazhdon të dobësohet në prag të ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

Kenan Karaman, i lindur në Stuttgart, shënoi gol në minutën e 94-t për barazimin e Turqisë në Koeln 3:3, të mërkurën mbrëma, kundër Gjermanisë. Në këtë ndeshje Loew pati një ekip eksperimental që u dorëzua tri herë me gjithë epërsinë që e pati, shkruan AFP.

Gjermania tashmë barazimet i ka shndërruar në zakon pasi muajin e shkuar luajti 1:1 kundër Spanjës dhe Zvicrës në dy ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, transmeton KOHA.

Mbi të gjitha, Gjermania do të udhëtojë në Kiev për t’u përballur me një ekip të “shkatërruar” të Ukrainës nga lëndimet dhe koronavirusi, i cili të mërkurën mbrëma pësoi humbje 7:1 nga Përfaqësuesja e Francës.

Megjithatë, Loew ka pranuar se duhet të rregullojë një “dobësi në udhëheqje” në Kiev përpara se Gjermania ta presë Zvicrën të martën e ardhshme. Dueli mes Ukrainës dhe Gjermanisë zhvillohet të shtunën mbrëma. Në analizën e tij pas ndeshjes, pas barazimit me Turqinë, Loew ishte i “zhgënjyer dhe mërzitur” nga paaftësia e ekipit të tij për të kontrolluar lojën, për të përfunduar rastet dhe për të mbajtur zotërimin e topit.