Gjermania ka fituar të enjten në mbrëmje në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës që zhvillohet vitin e ardhshëm në Katar.
Golat nga Timo Werner dhe Leroy Sane ia dhanë nisjen e mbarë edhe trajnerit Hans Dieter-Flick, që e pati duelin e parë në krye të ekipit qëkur e zëvendësoi Joachim Lowin në postin e përzgjedhësit.
18-vjeçari Jamal Musiala ishte asistues në golin e parë të gjermanëve që u shënua nga Werner.
Leroy Sane e dyfishoi rezultatin pas 77 minutash. Ishte goli i tetë me Gjermaninë për sulmuesin që luan te skuadra e Bayern Munichut.
Gjermania duelin e radhës e luan kundër Armenisë që e kryeson Grupin J dhe ende nuk ka pësuar disfatë.
Armenia ka 10 pikë ndërsa Gjermania është e dyta me nëntë pikë. Në vendin e tretë është Maqedonia e Veriut që ka shtatë pikë.