Mbrojtësi i krahut të majtë, Renan Lodi, pritet të largohet nga Atletico Madridi për t’u transferuar në Angli.
Lodi, pritet t’i bashkohet Nottingham Forestit, ekip që tashmë ka bërë 17 përforcime këtë verë, ka njoftuar Fabrizio Romano të shtunën.
Nottinghami po kërkon huazimin e Lodit me opsionin e blerjes në fund të sezonit për 30 milionë euro. Po ashtu, ekipi anglez ka ofruar pesë milionë euro për huazimin njëvjeçar të tij.
Lodi nuk bën pjesë në planet e klubit spanjoll dhe pritet t’i bashkohet Nottignhamit, ekip i rikthyer këtë edicion në Premier League.
24-vjeçari këtë edicion nuk e ka asnjë paraqitje, kurse me Atleticon ka kontratë deri në vitin 2024.