Skuadra e Llapit ka pësuar humbje në ndeshjen e fundit kontrolluese në Antalia të Turqisë. Të mërkurën, Llapi është mposhtur me rezultatin 2:1 nga CSKA Sofja. Golin e vetëm për Llapin në këtë ndeshje e shënoi sulmuesi Festim Alidema. Ai realizoi në minutën e 75-të pas asistimit të Kastriot Selmanit.
“Trajneri Tahir Batatina u dha hapësirën të gjithë futbollistëve dhe ndryshimi i tërë ekipit ndikoi që tempo e lojës të bie dhe nga dy gabime në defanzivë edhe u ndëshkuam në fund me dy gola të pranuar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Llapit.
Për Llapin, kjo ishte humbja e parë në Antalia në pesë ndeshje miqësore të luajtura. Në katër miqësoret e para, Llapi pati dy fitore dhe dy barazime.
Triumfoi ndaj ekipeve Akademija Pandev (2:0) e Akhmat Gronzy (1:0) dhe barazoi me Olimp Dolgoprudny (0:0) e Neftchy Fergana (1:1).