Skuadra e Liverpoolit ka shprehur interesim për mesfushorin Mikel Merino, i cili është pjesë e Real Sociedadit, ka bërë të ditur “The Sun” të premten.
Mësohet se Liverpooli tashmë ka nisur kontaktet me ekipin spanjoll, pasi po synon që Merinon ta transferojë gjatë këtij muaji. Për kartonin e 26-vjeçarit, Liverpooli është i gatshëm të ofrojë 50 milionë euro.
Merino ka treguar paraqitje të mira këtë edicion te Sociedadi, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025. Ai ka shënuar dy gola dhe ka bërë shtatë asistime në 22 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.
Merino është pjesë e Sociedadit prej vitit 2018, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Newcastle Unitedi, Borussia Dortmundi e Osasuna. Ai ka edhe 11 paraqitje me Përfaqësuesen e Spanjës.